Rivotimi në 7 vendvotime, KShZ: Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore
Sonte në mesnatë fillon heshtja parazgjedhore për rivotimin në shtatë vendvotime për zgjedhjet parlamentare në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore. Sipas vendimeve të marra, rivotim do të ketë në dy vendvotime në Dollnen, dy në Krushevë dhe me nga një në Strugë, Ohër dhe Zhelinë. Në këtë rivotim do të vlejnë të njëjtat lista të personave të sëmurë dhe të moshuarve, të cilët edhe para dy javëve kanë votuar në shtëpitë e tyre një ditë para ditës së zgjedhjeve. Ata të martën do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor i bën përgatitjet e fundit. Nga KShZ-ja thonë se materialet zgjedhore do t’i dorëzojnë gjatë ditës së hënë në Komisionet Komunale, të cilat gjatë ditës së martë të njëjtat do t’i dorëzojnë nëpër këshillat zgjedhore të vendvotimeve ku të mërkurën do të ketë rivotim.
Rivotimi erdhi si rezultat i vendimit të njëzëshëm të anëtarëve të KShZ-së, të cilët morën vendim t’i aprovojnë ankesat partiake të koalicionit VLEN për Zhelinë dhe të VMRO-DPMNE-së në 6 vendvotime tjera, e të cilat vendime më pas u konfirmuan nga Gjykata Administrative, duke i hedhur poshtë paditë e “Frontit Evropian”.
- Vendvotimi: 1844 Strugë
- Vendvotimi: 1272 Ohër
- Vendvotimi: 1202 Krushevë
- Vendvotimi: 1194 Krushevë
- Vendvotimi: 1470 Dollnen
- Vendvotimi: 1470/1 Dollnen
- Vendvotimi: 2101 Zhelinë
Rivotimi në këto 7 vendvotime mund të sjellë ndryshime në rezultatin përfundimtar zgjedhor, respektivisht në numrin e mandateve të fituara në këto dy njësi zgjedhore. Paraprakisht “Fronti Evropian”, i përbërë nga 9 parti politike, doli me akuza se me miratimin e ankesave partiake në KShZ kanë për qëllim për t’ua marrë dy mandate Frontit.