Mickoski pas rivotimit pret 62 deputetë, ja çka paralajmëron
Ai këtë e theksoi sot në fshatin Razllovcë të Dellçevës, ku mori pjesë në përkujtimin e përvjetorit të Kryengritjes së Razllovcit. Sipas tij, pas rivotimit në njësinë e pestë zgjedhore më 22 maj, sigurimi i këtij numri të deputetëve dhe më pas shumicës prej dy të tretave është një mundësi historike për shtetin.
“Duke u fokusuar te njerëzit, ne kemi vërtet, do të thosha, një mundësi historike si asnjëherë më parë, në këto më shumë se tre dekada. Kemi edhe pak për të kryer detyrën, më 22 maj do të ketë rivotim në njësinë zgjedhore 5, presim një tjetër deputet atje dhe tashmë në adresën time të radhës me ju dhe popullin e Maqedonisë, nuk duhet të flas për 61, por flitet për 62 deputetë”, tha Mickoski.
Sipas tij, me këtë shumicë do të ndryshohet ligji për organizimin e resorëve në qeveri, do të ketë qeveri me strukturë të re, qeveri moderne, qeveri e cila siç tha ai do t’u shërbejë nevojave të qytetarëve.
Objektivi tjetër, tha ai, është dy të tretat në Parlament.
Mickoski tha se do të fillojë një proces reformues historik, të cilin Maqedonia nuk e ka parë kurrë më parë.
“Në 100 ditët e para presim një lajm jashtëzakonisht të mirë për të gjithë qytetarët, në drejtim të përmirësimit të standardit, një bombë financiare do të thosha. Ne nuk do të merremi me bomba politike, me pasione të ulëta, me sulme, planifikojmë të punojmë në përmirësimin e standardit të qytetarëve, ky është qëllimi ynë dhe planifikojmë ta meritojmë vendin tonë në histori, shtoi Mickoski.(INA)