Maqedoni

Gerapetritis: Të mos harrojmë, zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është parakusht për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut

Mesazhi se është i nevojshëm respektimi i plotë dhe konsekuent i Marrëveshjes së Prespës, e ka përsëritur edhe një herë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgo Gerapetritis, në intervistën e sotme për gazetën greke “Real njuz” shprehu besimin se “qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të duan të rrezikojnë marrëdhëniet me Greqinë dhe perspektivën evropiane të vendit”.

Lidhur me tre memorandumet që ende nuk janë ratifikuar në Parlamentin grek, Gerapetritis tha se “do t’i sjellin në momentin e duhur politik” dhe ritheksoi se ratifikimi varet nga “zbatimi konsistent dhe i plotë i Marrëveshjes së Prespës”, ​​sepse përveç çështjes së emrit kushtetues, ka dhe çështje të tjera thelbësore të pazgjidhura”.

“Realiteti është se ne duam t’i sjellim memorandumet për ratifikim, sepse edhe ne në parim pajtohemi me rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodh nëse nuk ka përputhje të plotë dhe të prekshme me Marrëveshjen e Prespës. Të mos harrojmë se zbatimi i Marrëveshjes është një parakusht i qartë për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi shefi i diplomacisë greke.

Në lidhje me reagimin e Athinës zyrtare për inaugurimin e presidentes së re Siljanovska-Davkova, Gerapetritis theksoi se ajo ka qenë e shpejtë, por sipas tij edhe “shumëdimensionale dhe efikase”.

Përkujtoi se përveç komunikatave nga kryeministri grek dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, kanë dalë me komunikata edhe kryetari i Këshillit Evropian, kryetarja e Komisionit Evropian dhe zëdhënëse e BE-së, si dhe përfaqësues nga ministritë e punëve të jashtme të vendeve të tjera, “të cilat u informuan dhe u mobilizuan me iniciativën e MPJ-së greke”.