Maqedoni

Kotor, takimi i liderëve për planin e rritjes

Maqedonia e Veriut e ka të trasuar rrugën eurointegruese dhe duhet të ndiqet edhe nga ekzekutivi i ardhshëm, në mënyrë që vendi t’i bashkohet familjes evropiane sa më shpejt, ka thënë kryeministri Talat Xhaferi, në takimin e liderëve për planin e rritjes, të organizuar në Kotor të Malit të Zi.

Përcolli mesazhin deri te qeveria e re që të vazhdojë me zbatimin e agjendës reformuese 2024-2027, implementimin e tyre dhe harmonizimin me të drejtën dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“Në raport me bashkëpunimin rajonal i përkrahim themelet parime të vendosura në Planin e ri të aksionit për Tregun e përbashkët rajonal. Marrë parasysh se jemi në periudhën para zgjedhjes së qeverisë së re, aktivitetet e detajuara për të cilat janë përgjegjëse institucionet përkatëse, duhet të etablohen dhe të zhvillohen në periudhën që vijon. Këtu dua të potencoj faktin se për të pasur sukses plani i ri aksionar për treg të përbashkët rajonal, për të cilin punojnë intensivisht të gjithë duhet të zhbllokohet puna e CEFTA-s dhe vlerësoj se ka ardhur koha që RMV-ja të ketë përfaqësues e saj në nivelin më të lartë.”, – deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.

Para të pranishmëve, Xhaferi ka theksuar angazhimet e fundit qeveritare në finalizimin e agjendës reformuese, edhe përkundër faktit se vendi gjendej në periudhë zgjedhore.

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u organizua nga kreu i shtetit malazez, Milojko Spajiq, ku u diskutua mbi vizionin e përbashkët rajonal. Morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, liderët tjerë rajonal, si dhe përfaqësues të lartë të ShBA-së dhe BE-së.