“Nevojitet rritje e prodhimit të brendshëm që vendi të ecë përpara”
Duhet të paktën 5% rritje e prodhimit të brendshëm bruto që vendi të ecë përpara dhe dalëngadalë të arrijë vendet e rajonit dhe më gjerë, thonë nga organizata “Maqedonia 2025”, e cila organizon Samitin e 13-të në vend. Rritja ekonomike dhe përmirësimi i standardit jetësor, siç u tha, mund të arrihet përmes digjitalizimit gjithëpërfshirës të vendit, forcimit të konkurrencës së ekonomisë dhe shfrytëzimit të potencialit të diasporës në Maqedoni. Gjithashtu, disa nga segmentet që duhet punuar për të ecur përpara janë lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e eksporteve.
“Si shtet nuk mundëm të ristrukturohemi, atëherë folëm për tepricë të krahut të punës e tani flasim për mungesë të fuqisë punëtore. Ne si organizatë i zgjatim dorën shtetit që ti ndihmojmë për tërheqjen e investitorëve të huaj por edhe të diasporës tonë që të kthehen të investojnë në vendlindje. Deri më tani nuk kemi qenë të suksesshëm në këtë. Duhet ta ri brendojmë Maqedoninë që bota ta njeh vendin si destinacion biznesi dhe me institucione të shkëlqyera”, deklaroi Nikica Mojsovska-Bllazhevska, Drejtoreshë “Maqedonia 2025”.
Ideja e themeluesve të “Maqedonia 2025” është që të mbështesin zhvillimin e vendit në mënyrë që deri në vitin 2025 vendi të bëhet një vend i zhvilluar, anëtar i integrimeve euroatlantike, përkatësisht i NATO-s dhe BE-së.
“Temat e Samitit nga pikëpamja e komunitetit të biznesit dhe nga pikëpamja sesi duhet të ecë përpara shteti janë lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës që do të na bëjë konkurrues në rajon. edhe rritja e eksporteve, arsimi më i mirë… E gjithë kjo duhet të kontribuojë për të arritur qëllimin e rritjes së vazhdueshme të prodhimit të brendshëm bruto prej 5 për qind. Kjo rritje është e nevojshme që vendi të ecë përpara dhe dalëngadalë të ketë një lidhje ekonomike me vendet e rajonit dhe më gjerë”, tha Zhivko Mukaetov, Sipërmarrës.
Organizata “Maqedonia 2025” vitin e kaluar ka realizuar 40 programe në të cilat janë përfshirë mbi 1500 persona, nxënës të shkollave të mesme, studentë, menaxherë e kompani. Që nga themelimi i organizatës janë zbatuar programe për mbështetjen e zhvillimit ekonomik në vlerë prej katër milionë dollarësh. /Alsat.mk