Maqedoni

Përplasje në Klinikën e Toksikologjisë, kjo është arsyeja

Punonjësit e Klinikës së Toksikologjisë përmes një letre kanë mbrojtur kolegun e tyre Niko Beçarovski, për të cilin Ministria e Shëndetësisë, ka kumtuar se i njëjti ka fyer shqiptarët e punësuar në klinikë. Punonjësit duke nënshkruar një letër përpiqen t’i mohojnë këto pretendime. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, dje ka shkarkuar drejtorin mjekësor të Toksikologjisë, Danil Petrevski me arsyetimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes në baza etnike.

“Ne punonjësit e Klinikës së toksikologji me marrëdhënie të rregullt pune me afat të pacaktuar mohojmë plotësisht pretendimet e bëra në një deklaratë të datës 26.4.2024 nga grupe personash pa status të punësuar në klinikë, të cilat i referohen gjoja. fyerjet ndaj shqiptarëve nga prof. Dr Niko Beçarovski”, thuhet në deklaratën e të punësuarve maqedonas.

Më herët edhe doktori Beçarovski kishte paralajmëruar padi kundër personave të përfshirë dhe tërësisht i hodhi poshtë pretendimet se ka fyer shqiptarët në baza nacionale. Ky ishte kundër reagim i një deklarate të mëparshme të punonjësve shqiptar në Klinikën e Toksikologjisë, të cilët kumtuan që doktori në fjalë ka fyer shqiptarët në baza etnike. Kjo u mor për bazë për shkarkim.

“Doktor Niko Beçarovski nga turni natës erdhi e tha: Nëse doni luftë do të gjeni, madje bombë nukleare, të hënën pas kujdestarisë dua që Reparti Intensiv të jetë i pastër, pas SHIPTARI. Deri sa ishim në kohën e Tito-s, Maqedonia ishte vend i bukur për të jetuar, pastaj zbriten këta nga mali dhe u përzi gjithë shteti”, thuhet në deklaratën e të punësuarve shqiptar.

E gjithë kësaj i ka paraprirë gati një muaj më parë, në një konferencë për media, mjekët e Klinikës së Toksikologjisë që kanë bërë të ditur se drejtoresha ekonomike Besije Iljazi nuk lejon punësimin e dy biologëve të diplomuar dhe një mjeke ndihmëse. Në vend të kësaj, ajo insiston të punësojë 18 persona, të cilëve u ka skaduar kontrata e punës, e në mesin e tyre ka njerëz që nuk kanë arsim të duhur. Punonjësit pretendojnë se Iljazi, në kundërshtim me vendimin e ISHSSH-së, i cili shprehimisht ndalon praninë e të papunëve në Klinikë, inkurajon të gjithë ata që u ka skaduar kontrata të vijnë në punë. /Alsat.mk