Osmani: Ankimuam vendimin e KShZ-së, në administrative
Opinioni vendor dhe ndërkombëtar ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të shkeljes brutale të procedurave në KShZ dhe vjedhjes evidente partiake dhe institucionale të vullnetit zgjedhor me vendimet joligjore për rivotim në vendvotime të cilat saktë ishin definuar në vendlindjet e tyre, atje ku kanë fituar bindshëm, me qëllim të manipulimit të vullnetit zgjedhor, theksoi në konferencën për media, Bujar Osmani.
“Atë që qytetarët e panë drejtpërdrejt në KShZ me mbivotimet edhe etnike, u përkujtuan kohërat e majorizimit të viteve të ’90-ta. Motivet, sipas nesh, janë tre. Në një është qëllimi për të mos lejuar që për herë të parë pas pavarësisë së vendit të ketë një koalicion të udhëhequr nga partitë politike shqiptare të jetë subjekt i dytë në vend. Nën dy, të zbutet thellësia e humbjes së tyre te komuniteti shqiptar dhe nën tre të njolloset komuniteti shqiptar në kushte kur Qeveria që organizon zgjedhjet është e udhëhequr nga ne shqiptarët. Por edhe vendbanimet me shumicë shqiptare të njollosen se ato vjedhin procesin zgjedhor.”, – deklaroi Bujar Osmani nga “Fronti Evropian”.
Shtoi se këto janë arsyet për të cilat “Fronti Evropian” ka ankimuar këto vendime deri te gjykata administrative, duke paralajmëruar edhe padi për anëtarë të KShZ-së.
“Ftojmë institucionet që ta respektojnë ligjin, mos të lejojnë kapjen e shtetit dhe mos të bien nën ndikime dhe presione të partive politike. Por gjithashtu ftojmë edhe komunitetin ndërkombëtar që të ndjekë me vëmendje këtë proces aq të rëndësishëm. Edhe monitoruesit vendorë edhe ata ndërkombëtarë konstatuan se zgjedhjet e 24 prillit dhe të 8 majit ishin në kuadër të standardeve më të mira demokratike evropiane dhe si të tilla vetëm ndërtojnë imazhin e shtetit, imazhin e votuesit, por edhe imazhin e institucioneve.”, – theksoi Bujar Osmani nga “Fronti Evropian”.
Osmani tha se beson që Gjykata Administrative do të hedhë poshtë këto vendime, sepse sipas tij për këtë nuk ka asnjë bazë praktike.