BallinaMaqedoni

Kërcënohet Kacarska, para garazhit, krevat i improvizuar dhe një thikë

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, ka denoncuar në polici se ka marrë kërcënime për jetën e saj, pasi para garazhit të saj kishte gjetur një krevat të improvizuar dhe një thikë. Rastin e kanë konfirmuar edhe nga policia.

“Më 14 maj në SPB Shkup, D.K. ka denoncuar se në rajonin e Qendrës në garazhet nëntokësore, në vendparkimin e saj, janë gjetur një krevat i improvizuar dhe një thikë kuzhine. Për rastin në fjalë është njoftuar Prokurori Publik, kurse gjësendet janë marrë për ekspertizë dhe se po punohet për zbardhjen e rastit.”, thuhet në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërsa nga gjykata bëjnë me dije se hetimet duhet të tregojnë se a bëhet fjalë për kërcënime private kundër Kacarskës dhe të shihet se cili është motivi për këtë incident.

“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, në stacionin policor ka lajmëruar kërcënim eventual dhe prishjes së sigurisë, pasi që në vendparkimin e saj privat tek vendbanimi i saj dhe rreth 20 cm afër veturës së saj është gjetur një thikë dhe disa pajisje tjera, dhe kjo është ajo të cilën mund t’ua them deri në këtë moment. Për sa i përket shpjegimeve se a bëhet fjalë për kërcënime direkte apo rastësi, atë ia lëmë organeve përkatëse që t’i japin detajet.”, – zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belevska.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se për rastin në fjalë është njoftuar edhe Prokurori Publik, ndërsa nga Gjykata po ashtu ka shpjeguar se Kacarska edhe më parë ka pasur raste të palakmueshme dhe në vazhdimësi ka pranuar kërcënime në rrjetet sociale./TVM2