Bisedimet për qeverinë e re, partitë pa detaje konfirmojnë negociatat
Grupet e punës midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it pritet të nisin bisedimet për përbërjen e qeverisë së re dhe ndarjen e dikastereve qeverisëse. Nga VLEN-i nuk japin detaje. Ngjashëm edhe nga VMRO – DPMNE-ja, të cilët thonë se takim do të ketë, por pa dhënë detaje konkrete se kur saktë do të ndodh dhe në çfarë niveli.
Megjithatë dihet se takimet e para do të jenë në nivel nënkryetarësh, ndërkohë që në vazhdën e bisedimeve nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të formës së komunikimit midis dy koalicioneve të VMRO-së dhe VLEN-it, sa i takon temave për të cilat do të bisedohet. Dihet që më 28 maj duhet të ndodh seanca në të cilën do të votohet përbërja e re parlamentare, dhe më pas pritet të ketë dinamikë të re sa i takon bisedimeve midis VMRO-së dhe VLEN-it.
Gjatë fundjavës, palët në bisedime janë dakorduar parimisht për bisedimet, të cilat do të zhvillohen në bazë të tre postulateve: eurointegrimet, zhvillim i përshpejtuar ekonomik, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe sundimin e së drejtës.
Nga VLEN-i riaktualizojnë ndryshimet kushtetuese, për të cilat qëndrim ndryshe gjatë fushatës kishte VMRO-DPMNE-ja. Nga koalicioni VLEN konsiderojnë se ndryshimet duhet bërë për gjashtë, më së voni nëntë muaj, pasi të përmbyllen edhe zgjedhjet në Bullgari.
Formimin e qeverisë së re bullgare e pret edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Afatet ligjore parashikojnë që Maqedonia e Veriut të ketë qeverinë e re në fund të qershorit, edhe pse pritjet partiake janë më optimiste se kabineti qeveritar në krye me Mickoskin do të finalizohet deri më 5 qershor./TVM2