Gjermania nuk do të lejojë “zona gri” në Ballkanin Perëndimor
Ministria e Punëve të Jashtme gjermane shpreh mbështetje për Maqedoninë e Veriut, vetëm atëherë kur ajo do të respektojë marrëveshjet e Qeverisë në ikje. Gjermania nuk do të lejojë krijimin e “zonave gri”, të cilat mund të shfrytëzohen nga vendet tjera, shkruan Deutsche Welle.
Maqedonia e Veriut ka për obligim të respektojë Marrëveshjen e Prespës, thotë Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, pasi të dielën presidentja e sapo-zgjedhur e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, refuzoi të shqiptojë emrin kushtetues të shtetit me përcaktuesin gjeografik “e Veriut”.
Qeveria në Berlin dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re në Shkup dhe e konsideron të rëndësishme që vendi të vazhdojë rrugën e tij drejt BE-së dhe të zbatojë reformat e nevojshme në këtë rrugëtim.
“Maqedonia e Veriut mund të mbështetet te Gjermania në atë rrugë”, tha të hënën zëdhënësi i MPJ-së gjermane, Kristian Vagner. Por, për sa i përket përdorimit të emrit, Berlini kërkon që të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Për sa i përket përdorimit të emrit, ekziston një marrëveshje ndërkombëtare, Marrëveshja e Prespës me Greqinë, për të cilën është e lidhur Maqedonia e Veriut”, tha Wagner.
Mbështetje për Ballkanin Perëndimor
I pyetur nga një gazetar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e re në Shkup nuk respekton Marrëveshjen e Prespës, Wagner nuk pranoi të spekulojë, por tha se qeveria e tij mban qëndrimin se Ballkani Perëndimor i përket BE-së.
“Qeveria gjermane është shumë aktive në atë pjesë dhe ne nuk do të lejojmë zona gri në Evropë. Nëse do të lejonim zona të tilla gri, ato do të shfrytëzoheshin nga vende të tjera. Dhe kjo është arsyeja pse ne i qëndrojmë politikës sonë ndaj Ballkanit Perëndimor”, tha Wagner, duke shtuar se duhet të presim, ngase qeveria e re në Shkup është ende duke u negociuar.
Gordana Siljanovska-Davkova shkaktoi reagime të shumta në Evropë pasi insistoi që në inaugurimin e së dielës në Kuvend si presidente e re e vendit, të quhet “Maqedoni”. Reagime kanë parashtruar edhe zyrtarë të Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, të cilët i kanë kujtuar detyrimet e RMV-së ndaj Marrëveshjes së Prespës.