IRI publikon anketë të re
“Ekziston një dëshirë e madhe në të gjithë Ballkanin për t’i forcuar lidhjet ekonomike me vendet perëndimore dhe për t’u anëtarësuar në BE.”
Uashington, DC — Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Në pyetjen se a do e mbështesnin anëtarësimin në BE nëse një referendum do të mbahej sot, shumica dërmuese në pesë nga gjashtë vendet u përgjigjën që do të votonin për t’iu bashkuar aleancës, duke filluar me 68% në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë deri në 92% në Shqipëri. Në Serbi, 40% e të anketuarëve mbështesin anëtarësimin në BE.
“Ekziston një dëshirë e madhe në të gjithë Ballkanin për t’i forcuar lidhjet ekonomike me vendet perëndimore dhe për t’u anëtarësuar në BE deklaroi Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI. “Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në të gjithë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm me Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm.”
Në të vërtetë, çështjet ekonomike dominojnë prioritetet e qytetarëve për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Përveç Shqipërisë, ku papunësia ishte çështja kryesore, çmimet e larta dhe kostoja e jetesës ishin shqetësimi më i madh për qytetarët në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të gjashtë vendet, korrupsioni u shfaq si një çështje me prioritet të lartë.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara besojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është plotësisht ose disi e pajustifikuar. Në Serbi, megjithatë, një shumësi prej 49% mendojnë se Rusia është plotësisht ose disi e justifikuar.
“Ndërsa këto shifra janë kryesisht pozitive, përgjigjet nga Serbia janë shqetësuese,” tha McCarthy. “Nëse paqja dhe siguria janë objektivat afatgjata në Ballkan, alternativa më e mirë për Serbinë është të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin”.
Metodologjia
Sondazhi u krye nga Ipsos në emër të Qendrës për Vështrime në Hulumtimet e Anketave në kuadër të IRI nga 2 shkurti deri më 5 mars 2024. Të dhënat u mblodhën përmes intervistës ballë për ballë të administruar nga CAPI në shtëpitë e të anketuarve përmes një metode probabiliteti shumëfazor të krijuar për të dhënë mostra përfaqësuese kombëtare në çdo vend. Normat e përgjigjes variojnë nga 21% deri në 40%. Madhësia e mostrës sipas vendit varion midis n=1,036 dhe n=1,238 dhe marzhi i gabimit varion nga 2.8 në 3.0 pikë.