Kabineti i Siljanovskës: Presidentja e respekton emrin kushtetues
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkova ka reaguar në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Grek, Kyriakos Mitsotakis, për sa i përket etiketimit të emrit ‘Maqedoni’, gjatë betimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
‘Presidentja maqedonase në daljet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin ‘Maqedoni’, si akt i së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane’.
Kështu thuhet në deklaratën e publikuar për mediat nga Zyra e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkova. Ndër të tjera në deklaratë thuhet se ‘presidentja Gordana Davkova do t’i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues’.
Në deklaratë sqarohet se betimin solemn, Davkova e ka nënshkruar bazuar në Kushtetutën e vendit, respektivisht me emrin kushtetues.
Theksojmë se Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkova, të dielën, më 12 maj, gjatë betimit nuk përmendi emrin Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.