Evitimi i emrit kushtetues, vazhdojnë reagimet e partnerëve, Presidenca do t’i përmbahet aplikimit zyrtar
ShBA-ja e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kjo është përgjigja e ambasadës amerikane në vend për emisionin “360 shkallë” në pyetjen për inaugurimin e djeshëm të presidentes së sapozgjedhur, Gordana Siljanovska Davkova, e cila duke dhënë betimin solemn në Kuvend përdori vetëm emrin Maqedoni në vend të atij kushtetues.
“Pasi të formohet Qeveria e re dhe të zgjidhet një kryeministër, ne do të vazhdojmë të përforcojmë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve nga përparimi i vendit me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.”.
Edhe nga Brukseli, me mesazh se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen.
“Duam të punojmë me liderët e rinj të zgjedhur në Maqedoninë e Veriut, edhe me presidenten edhe me Qeverinë e re, që t’i ndihmohet vendit që të lëvizë përpara dhe t’i implementojë kushtet e aderimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Tash e kanë shansin që t’i bindin të gjithë në BE, se janë të përkushtuar për të ardhmen evropiane të vendit.”, – deklaroi zëdhënësi i KE-së, Peter Stano.
Pas gjithë reagimeve, me përgjigje del presidenca e shtetit. Gordana Siljanovska Davkova ka respektuar Kushtetutën, respektivisht gjatë inaugurimit të saj si presidente, betimi solemn është nënshkruar me emrin zyrtar të shtetit, gjegjësisht Republika e Maqedonisë së Veriut, thuhet në komunikatë. Por Davkova si presidente ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, duke u thirrur në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, arsyetohen nga kabineti i presidentit.
“Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues. Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues.”, thuhet në kumtesën e shërbimit të kabinetit të presidentes së shtetit.
Për evitimin e emrit kushtetues të vendit nga presidentja e sapozgjedhur, reagime pati edhe nga Greqia dhe Bullgaria. Dy shtetet fqinje përkujtojnë se perspektiva evropiane e vendit tonë varet nga implementimi i fuqishëm i Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe korniza negociuese e Këshillit Evropian të miratuar në qershor të vitit 2022.