Maqedoni

BE-ja shpreh keqardhje që Davkova s’e përdori emrin kushtetues të Maqedonisë së Veriut kur u betua

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit kur u betua si presidente në një ceremoni parlamentare të dielën.

“BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, tha në një komunikatë të dielën.

Gjatë ceremonisë së betimit si presidente e vendit në Parlament të dielën më herët, Davkova tha se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.

Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Davkoka u bë gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.

Ajo e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.

Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

Ajo u zotua gjatë fjalimit se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”./REL