BallinaMaqedoni

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e zjarrit të spitalit modular në Tetovë, për shkak të fakteve të vërtetuara pa kujdes në aktgjykim

Një pjesë e rastit ndaj dy drejtorëve të spitalit të Tetovës për rastin e zjarrit në të cilin u dogjën 14 pacientë tre vjet më parë në një spital montazhi Covid po kthehet në rigjykim.

Gjykata e Apelit në Gostivar ka vendosur që nga fillimi ta kthejë procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ishte i paqartë. Në ankesë në aktgjykim thuhet se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund të vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Tetovë vitin e kaluar i dënoi drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi me burgim me kusht prej një viti e gjysmë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Ata nuk do të shkojnë në burg nëse nuk kryejnë një krim të ri në tre vitet e ardhshme. Në momentin e rënies së zjarrit në krye të spitalit ishte Besimi, ndërsa drejtor ekonomik Etemi.

Spitali i Tetovës si institucion shëndetësor është dënuar me rreth 16 mijë euro gjobë.

Kurse mjeku Boban Vuçevski, i cili ka qenë në shërbim natën kur ka rënë zjarri, në gjykimin në shkallë të parë është shpallur i pafajshëm nga akuza se nuk ka vepruar sipas rregullave shëndetësore.

Prokuroria e Tetovës, e pakënaqur me aktgjykimin, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar.

Prokuroria kërkoi që drejtorët të marrin një dënim më të ashpër, të rrëzohet pafajësia e mjekut dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Dokumentari “Vrasja në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi vitin e kaluar, tregon një sërë dështimesh në ndërtimin e spitalit modular që sollën zjarrin, ndonëse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllit zgjatues.

Mangësitë janë konstatuar në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend të godinës, spitali drejtohej si objekt urban, i cili nuk ka nevojë të respektojë kodin e ndërtimit.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate zjarri, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Rasti i zjarrit në spitalin modular në Tetovë është përfshirë në raportin e Freedom House për Maqedoninë. Në rubrikën për problemet me lirinë e medias, përmendet edhe Laboratori i Gazetarëve Hulumtues (IRL) dhe padia për shpifje nga ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, i cili është një nga pronarët e BRAKO-s, e cila ndërtoi spitali. Zjarri në spitalin modular në Tetovë cilësohet si një nga skandalet më të mëdha korruptive që ka ndikuar në rënien e rejtingut të vendit.(INA)