BallinaMaqedoni

Mickoski: Koha që LSDM dhe BDI të shkojnë në opozitë

“Ne ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në fillim të fjalës së tij nga selia e partisë.

Ai ka thënë se në zgjedhjet e sotme ka humbur edhe bojkoti i BDI-së.

“Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë. Nuk do t’ju zhgënjejmë, rezultatet e punës sonë do të shfaqen në 100 ditët e para të qeverisjes”, tha Mickoski.

Bilall Kasami nga VLEN ka thënë se koalicioni VLEN ka dalë fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.

“Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Kasamit, ka ndikuar edhe mërgata që kanë ardhur për të votuar.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj i them 100 mijë herë “faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe një herë ndryshimin në atdhe!”