Prokuroria publike njofton për parregullsitë gjatë zgjedhjeve
Xhelal Bajrami, kryetar i Komisionit të Përkohshëm të Prokurorisë Publike, për monitorimin e krimeve të mundshme kundër zgjedhjeve dhe votimit, si dhe parregullsive të tjera zgjedhore, tha se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë Veriore janë në përgjithësi të qeta.
Në një konferencë për media, Bajrami ka thënë se ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për ryshfet, njërit prej tyre i është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, ndërsa ndaj tjetrit janë duke vazhduar me procedurat e rregullta.
Bajrami: Zgjedhjet të qeta dhe nuk shënohen parregullsi të mëdha
“Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e sotme e zgjedhjeve me të cilin votohet në raundin e dytë për president të shtetit dhe në zgjedhjet parlamentare në përgjithësi është e qetë dhe pa ndonjë parregullsi të madhe. Qe nga fillimi i votimit të sotëm në prokuroritë themelore dhe në adresën e posaçme nuk janë raportuar incidente apo parregullsi në vendvotime që do të kishin elemente të veprës penale. Në Prokurorinë Themelore në Veles është proceduar lëndë kundër dy personave, fillimisht kallëzimi ka qenë për ryshfet gjatë zgjedhje, mirëpo gjatë bastisjeve të personave tek të njëjtit është gjetur një sasi, gjegjësisht tek njeri është gjetur një sasi më e madhe armesh, ndërsa tek personi tjetër është gjetur një arme që është e palejuar konform kodit penal. Tek personi që i është gjetur sasia e madhe e armeve, për të njëjtin me urdhër të prokurorit publik Gjykata Themelore e Velesit tanimë ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa te personi që i është gjetur një armë, tek i njëjti do të vazhdojë procedura e rregullt. Gjithashtu do të kontrollohet edhe eventualisht nëse tek të njëjtit ka pasur elemente të kryerjes së veprës penale, ryshfet gjatë zgjedhjeve, për të cilën edhe është bërë paraqitja”, tha ai.
Kryetari i Komisionit të Përkohshëm të Prokurorisë Publike, ka thënë se janë duke vëzhguar çdo parregullsi të mundshme gjatë procesit zgjedhor.
Bajrami: Prokuroria do të veprojë ndaj shkeljeve eventuale zgjedhore
“Deri në këtë moment ka pasur edhe informim nga ana e sektorit të punëve të brendshme në Ohër dhe për ryshfet gjatë zgjedhjeve, mirëpo deri te prokuroria kompetente ende nuk ka të ngritur kallëzim penal nga ana e këtyre dy sektorëve dhe gjithsesi nëse vërtetohet se ka elemente të kryerjes së këtyre veprave, edhe në këto raste do të veprojmë si prokurori”, tha Bajrami.
Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhje të dyfishta. Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.
Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.
Gjatë ditës së djeshme votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Votoi edhe diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për parlamentaret nuk u mbush numri i nevojshëm i kërkesave për organizim të zgjedhjeve.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.