Maqedoni

Padi për ish-kryetarin e komunës dhe drejtoreshën e një kopshti për fëmijë në Shkup për parregullsi gjatë një tenderi

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj dy të dyshuarve për keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë punës së kopshtit për fëmijë, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj drejtoreshës M.R. në një çerdhe për fëmijë në një komunë shkupjane dhe kundër kryetarit të një komune shkupjane për veprën penale “keqpërdorimin e detyrës dhe kompetencave zyrtare”, në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, raportoi Policia.

Drejtoresha e çerdhes ka tejkaluar kompetencat gjatë zbatimit të procedurave për blerjen e teknikës së bardhë në vlerë prej 1 300 000 denarë pa TVSH. Këtë vlerë drejtoresha e kishte tejkaluar, ndërkohë kompania përgjegjëse për sjelljen e teknikës së bardhë në kopsht nuk e kishte kryer detyrën e paraparë në kontratë, ndërsa drejtoresha nuk kishte marrë masat e parapara ligjore.

Ish-kryetari i komunës, i njoftuar me rastin, i kishte mundësuar drejtoreshës mjete financiare shtesë përmes rebalancit të buxhetit të komunës.

“Në këtë mënyrë, dy të paditurit e kanë dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 1 534 000 denarë, derisa drejtoresha e ka dëmtuar buxhetin e çerdhes në vlerë prej 273 676 denarë”, vlerësoi Policia.