Ish-shefi i Mossadit: Izraeli sulmoi programin bërthamor të Iranit
DUBAI, Emiratet e Bashkuara Arabe – Shefi në largim i Mossadit, shërbimi izraelit i zbulimit, ka pranuar se vendi i tij ishte pas sulmeve më të fundit ndaj programit bërthamor të Iranit dhe ndaj një shkencëtari të ushtrisë.
Komentet e Yossi Cohenit ofrojnë një pasqyrë të pazakontë nga kreu i një agjensie përgjithësisht sekrete, ndërkohë që duket se qeverisja e Kryeministrit Benjamin Netanyahu është në ditët e saj të fundit.
Kjo shërben edhe si një paralajmërim i qartë për shkencëtarët e tjerë të programit bërthamor të Iranit se mund të bëhen edhe ata objektivë sulmi. Zoti Cohen foli për mbrëmjen e së enjtes në programin investigativ “Uvda” të kanalit televiziv izraelit 12. Irani nuk reagoi menjëherë për komentet e zotit Cohen.
Paralajmërimi u bë megjithëse diplomatët në Vjenë po përpiqen të negociojnë kushtet e shpëtimit të marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.
“Nëse shkencëtari ka vullnetin të ndryshojë karrierën duke mos na dëmtuar më, atëherë po, ndonjëherë u ofrojmë një rrugëdalje”, tha zoti Cohen.
Ndër sulmet kryesore ndaj Iranit, asnjë nuk goditi më thellë se dy shpërthimet gjatë vitit të kaluar në kompleksin bërthamor në Natanz. Centrifugat e atjeshme e pasurojnë uraniumin nëntokë për të qenë të mbrojtura nga sulmet ajrore.
Në korrik 2020, një shpërthim misterioz dëmtoi rëndë centrifugat e avancuara në Natanz, diçka për të cilën Irani fajësoi më vonë Izraelin. Në vazhdim, gjatë muajit prill të këtij viti, një shpërthim tjetër dëmtoi rëndë një ndër sallat e nëndheshme të pasurimit.
Duke diskutuar për Natanzin, intervistuesja e pyeti zotin Cohen se ku do t’i drejtonte nëse mund të shkonin atje, dhe ai tha “në bodrum” ku “dikur rrotulloheshin centrifugat”.
“Nuk duket më si dikur”, shtoi ai.
Zoti Cohen nuk pretendoi drejtpërdrejt autorësinë e sulmeve, por detajet e dhëna ofruan pranimin më të afërt deri më tani të ndonjë roli të Izraelit tek sulmet. Intervistuesja, gazetarja Ilana Dayan, gjithashtu me sa duket ofroi një përshkrim të hollësishëm se si Izraeli depërtoi eksplozivët në sallat nëntokësore të Natanzit.
“Njeriu që ishte përgjegjës për këto shpërthime, tashmë është e qartë se u siguroi iranianëve themelin prej mermeri mbi të cilin vendosen centrifugat”, tha zonja Dayan. “Ndërsa instalonin këtë themel brenda objektit Natanz, ata nuk kishin dijeni se ai tashmë përfshinte një sasi të madhe eksplozivi”.
Ata diskutuan gjithashtu vrasjen në nëntor të Mohsen Fakhrizadehut, një shkencëtar iranian që filloi programin bërthamor ushtarak të Teheranit dekada më parë. Agjencitë amerikane të zbulimit dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike besojnë se Irani e braktisi përpjekjen e organizuar në kërkim të një arme bërthamore në vitin 2003. Irani pretendon prej kohësh se programi i tij është paqësor.
Ndërsa zoti Cohen në kamera nuk pretendon autorësinë për vrasjen, zonja Dayan në segmentin televiziv thotë se zoti Cohen “personalisht autorizoi të gjithë fushatën”. Zonja Dayan përshkroi gjithashtu se si një mitraloz i drejtuar nga distanca, i montuar në një kamionçinë, vrau Fakhrizadehun dhe më vonë u vetëshkatërrua.
Zoti Cohen përshkroi një përpjekje izraelite për të dekurajuar shkencëtarët iranianë nga pjesëmarrja në program, duke shkaktuar që disa të braktisnin punën e tyre pasi u paralajmëruan, qoftë edhe indirekt, nga Izraeli. I pyetur nga intervistuesja nëse shkencëtarët i kuptonin pasojat që do kishin nëse nuk ndalnin punën, zoti Cohen tha: “Ata i shohin miqtë e tyre”.
Ata gjithashtu folën për operacionin e Izraelit për kapjen e dokumentave arkivore nga programi ushtarak bërthamor i Iranit. Zonja Dayan tha se 20 agjentë, asnjë prej tyre izraelit, morën materiale nga 32 kasaforta, pastaj skanuan dhe transmetuan një pjesë të madhe të dokumentave. Zoti Cohen konfirmoi se Mossadi mori pjesën më të madhe të materialit para se të nxirrej fizikisht nga territori i Iranit.
Zoti Cohen mbrojti vendimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të dalë në publik me rezultatet e operacionit, duke vepruar kështu kundër një praktike të vjetër fshehtësie për aktivitetet e Mossadit.
“Ishte e rëndësishme për ne që bota ta shohë këtë, por kjo gjë duhet gjithashtu të zërë vend me udhëheqjen iraniane, për t’u thënë atyre:‘ Të dashur miq: Së pari, jeni penetruar. Së dyti, po ju shohim. Së treti, epoka e … gënjeshtrave ka mbaruar”, tha zoti Cohen.
Media në Izrael operon nën një politikë të vjetër prej dekadash që u kërkon gazetarëve të marrin miratimin e çensuruesve ushtarakë për artikuj që përfshijnë çështje sigurie. Duke qenë se komentet e zotit Cohen miratohen nga çensuruesit, kjo sugjeron se Izraeli donte t’i dërgonte një paralajmërim të ri Iranit ndërsa negociatave bërthamore të Vjenës.
Irani është ankuar në mënyrë të përsëritur për sulmet e Izraelit, me ambasadorin e Iranit në IAEA Kazem Gharibabadi duke paralajmëruar së fundmi të enjten se incidenteve “jo vetëm që do t’u përgjigjen me vendosmëri, por gjithashtu sigurisht nuk lënë asnjë mundësi për Iranin, përveçse që të rishikojë masat e tij të transparencës dhe politikën e bashkëpunimit”.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për komente mbi deklaratat e zotit Cohen, i cili u zëvendësua nga ish-operativi David Barnea. Zoti Cohen në intervistë pranoi se një ditë mund të kërkojë edhe vetë postin e kryeministrit./ VOA