Zbardhet shkresa/ Prokuroria i dha leje Erdgysit të merrte pjesë në ceremoninë mortore të së bijës, por ai nuk shkoi
Kjo është shkresa ku Erdgys Arrazi ka kërkuar leje për të qenë i pranishëm në varrimin e vajzës së tij të mitur Ergesa 9 vjeç, trupi i së cilës u gjet në lumin Buna nga një peshkatar i zonës.
Kërkesa për të qenë i pranishëm në varrimin e vajzës së mitur ditën e sotme 6 maj në orën 14.00 është miratuar nga prokuroia, por Erdgysi nuk ishte i pranishëm në ceremoninë mortore.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ku kërkoni leje të veçantë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vajzës së mitur Ergesa Erdgys Arrazi në datën 06.05.2024 ora 14:00, për të arrestuarin Erdgys Arrazi, i cili është ndaluar në datën 05.05.2024 për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, ju bëjmë me dije së bazuar në parashikimet ligjit 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim të Paraburgosurve” dhe “Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, kompetent për dhënien e lejeve te veçanta është Drejtori i Institucionit ku mbahet personi i ndaluar, i cili merr pëlqimin e prokurorit.
Organi procedues jep pëlqimin që personi nën hetim të lejohet të marrë pjesë në ceremoninë mortore, nëse nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër garantohet siguria dhe rendi gjatë shoqërimit te tij, ndalohet komunikimi me çdo person tjetër dhe sigurohet rikthimi i ti në dhomat e sigurisë ku mbahet i ndaluar, menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore. Sa më sipër, ju lutem te drejtoheni në institucionin kompetent, për shqyrtimin e kërkesës suaj”-thuhet një shkresë.