Zgjedhjet 2024, “Fronti Evropian” vazhdon shpalosjen e programit
Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore për zgjedhjet e 8 majit, “Fronti Evropian” ka organizuar një panel diskutim lidhur me shumicën e dyfishtë si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Zëdhënësi i shtabit të “Frontit Evropian”, Arbër Ademi, u ndal te retorika që po e përdor VMRO-DPMNE-ja, e cila, siç tha ai, parapëlqen ta suspendojë demokracinë dhe komunitetet tjera duke tentuar të imponojë dominimin edhe si komunitet edhe si parti politike.
“Ajo për të cilën ne jemi maksimalisht të interesuar është që partneriteti jonë të jetë i pashkëputur me qytetarët. Vullneti i qytetarëve të jetë përcaktuesi se kush është prezent i komunitetit dhe i të gjitha forcave tjera progresive evropiane.”, – deklaroi Arbër Ademi nga shtabi zgjedhor i “Frontit Evropian”.
Nga “Fronti Evropian” premtojnë se do të jetë garanci stabiliteti dhe sigurie, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për bashkësitë e tjera etnike, që janë pjesë e këtij koalicioni, si dhe do të jetë faktor stabiliteti edhe për vet maqedonasit. Kryetari i partisë “Populli”, njëherit edhe kandidat për deputet në njësinë e dytë zgjedhore, Skender Rexhepi, njëherit thekson se qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve të opozitës maqedonase apo opozitës shqiptare.
“Një politikë e tillë e VMRO-së bën ndasi ndëretnike, krijon jaz mes shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve dhe kjo politikë i sjell dobi “Frontit Evropian” se gjithnjë e më shumë e shohin se një politikë e tillë, e “Fronti Evropian” do t’i tejkalojë ato porosi ndarëse ndëretnike.”, – theksoi kandidati për deputet në njësinë e 2-të nga “Fronti Evropian”, Skender Rexhepi.
Ekonomia dhe standardi jetësor i qytetarëve është një nga përkushtimet prioritare të “Frontit Evropian” pas 8 majit, deklaroi kandidati për deputet i këtij koalicioni, Elmi Aziri. Ai përmendi të arriturat e deritanishme duke theksuar rritjen e pagave, marrëveshjen kolektive, mbështetjen e sektorit privat dhe kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, rritje të pensioneve dhe subvencione në shumë sfera. Aziri më tej theksoi se për të arritur një standard jetësor të përafërt, e pse jo edhe të barabartë me qytetarët e tjerë të Evropës si një ndër tre shtyllat e programit Evropa 2030, janë vendosur çështjet ekonomike. Pas marrëveshjes së Ohrit, të Prespës dhe marrëveshjes për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë, ka ardhur koha për një marrëveshje të madhe, respektivisht marrëveshje të konsensusit ekonomik, tha Aziri.
“Kjo marrëveshje synon të sigurojë kornizë për mundësi të barabarta në një ekonomi të tregut funksional, me konkurrencë të ndershme dhe zhvillim të barabartë rajonal dhe infrastrukturë që krijon mundësi të barabarta në ekonomi për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, kulturore, gjinore dhe grupe të tjera.”, – u shpreh kandidati për deputet në njësinë e 2-të nga “Fronti Evropian”, Elmi Aziri.
Marrëveshja e konsensusit ekonomik, sipas Azirit, do të sigurojë konsensus ekonomik dhe shoqëror për prioritetet zhvillimore, politikat dhe reformat kryesore, të cilat do të mundësojnë barazi sociale dhe mundësi të barabarta ekonomike për të gjithë, duke krijuar optimizëm dhe do të nxisin përshpejtimin e rritjes ekonomike.
Qëndrimi i “Frontit Evropian” për presidencialet: Qytetarët të vendosin vet si do të votojnë
Liderët e partive që janë pjesë e “Frontit Evropian” në një mbledhje në Strugë kanë konstatuar se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale më 24 prill kaloi në atmosferë të qetë, fer dhe demokratike, ndërkohë që fitorja prej 40 mijë votash e dr. Bujar Osmanit ndaj Arben Taravarit – kandidatit të opozitës, është fitore e cila do të thellohem edhe më shumë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
“Me këtë rast, meqenëse “Fronti Evropian” nuk është më pjesë e garës presidenciale në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe meqenëse vota e qytetarëve për ne është e shenjtë dhe e drejtë e tyre, “Fronti Evropian” konstaton se është në vullnetin ekskluziv të qytetarëve se si do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.”, thuhet në njoftimin e “Frontit Evropian”.
Po ashtu nga “Fronti Evropian” kanë njoftuar se tubimi përmbyllës për zgjedhjet parlamentare të 8 majit i “Frontit Evropian”, i cili ishte caktuar fillimisht për 6 maj, për shkak të përputhjes së terminit me koalicionin e opozitës shqiptare VLEN, Fronti do ta mbajë tubimin më 5 maj, në sheshin “Iliria” në qytetin e Tetovës./TVM2