Zgjedhjet presidenciale për rrethin e parë, KShZ-ja shpall rezultatin përfundimtar
Komisioni Shtetëror Zgjedhor është gati për ditën e zgjedhjeve. Gjatë këtyre dy ditëve do të shpërndahet materiali zgjedhor konfidencial, të cilin komisionet komunale zgjedhore janë të obliguar ta dorëzojnë deri të martën, ndërsa rezultatet fillestare të zgjedhjeve presidenciale rrethi i dytë dhe atyre parlamentare, priten të publikohen në të njëjtën ditë kur do të mbahen zgjedhjet para mesnatës. Në seancën e fundit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe vendimin për përfundimin me sukses të zgjedhjeve presidenciale të rrethit të parë dhe kumtimit të këtyre rezultateve.
“Konkluzion për rezultatet përfundimtare nga votimi për zgjedhjet për President të RMV-së, të mbajtura më 24 prill të vitit 2024. KShZ-ja konstaton se numri i zgjedhësve të regjistruar në listën zgjedhore është 1,814,317, ndërsa numri i zgjedhësve të cilët kanë votuar në rrethin e parë është 905,622 votues, ndërsa numri i fletëvotimeve të papërdorura është 881,040.”, – deklaroi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Pas shqyrtimit të të gjitha kundërshtimeve, KShZ-ja shpalli edhe rezultatet përfundimtare, ku tregojnë se kandidati për president, Stevo Pendarovski, ka marrë 180,499; Gordana Siljanovska Davkova 363,085; Stevço Jakimovski 8,121; Bujar Osmani 120,811; Biljana Vankovska 41,331; Arben Taravari 83,385 dhe Maksim Dimitrevski 83,337. Sipas KShZ-së në ditën e votimit për zgjedhjet e dyfishta, votuesit do të mund të paraqiten vetëm një herë në vendvotim. Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahet më 8 maj, do të votohet për kandidatët për president, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova.
Për zgjedhjet e ardhshme për president, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka marrë akreditime nga 52 vëzhgues vendorë, 11 ndërkombëtarë dhe pesë gazetarë të huaj, kanë dorëzuar edhe kërkesë për zgjedhje për deputetë në Kuvend, njoftuan në seancën e sotme të KShZ-së.