Maqedoni

Familjet e nxënësve që marrin deri 50 mijë denarë në muaj, deri më 9 maj do të mund të aplikojnë për mbështetje financiare

Ministria për Arsim dhe Shkencë prej sot e deri më 9 maj do të pranojë aplikime nga familjet e nxënësve që marrin deri 50 mijë denarë në muaj, transmeton Portalb.mk.

“Ftohen të gjithë nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të cilët i plotësojnë kushtet e mëposhtme dhe nuk kanë aplikuar në thirrjen e publikuar në dhjetor të vitit 2023 të aplikojnë në thirrjen publike për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme”, njoftoi Ministria.

Familjet do të mund të marrin mbështetje për çdo nxënës që e kanë në shkollën fillore ose të mesme. Për çdo nxënës në shkollën fillore do të mund të marrin 20 euro, ndërsa për nxënësit e shkollës së mesme 30 euro.

Mbështetja financiare është për çdo nxënës të rregullt, që është shtetas i RMV-së, nëse familja e tij të ardhurat mujore i ka deri 50 mijë denarë.

Ndryshe, kjo është një mundësi e krijuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ishte paraparë që nga dhjetori i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, prindërit me të ardhura të ulëta të përfitonin çdo muaj nga 20 euro për nxënësit në fillore dhe 30 në të mesme..

Këtë masë planifikojnë ta shfrytëzojnë rreth 75 mijë nxënës të shkollave fillore dhe 30 mijë nxënës të shkollave të mesme. Në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për masat kundër krizës nga pakoja e nëntë e Qeverisë, thuhej se janë siguruar 843 milionë denarë për nxënës dhe studentë.