Maqedoni

Parimi “fituesi me fituesin”/ Kush do të përfaqësojë shqiptarët në qeveri, VLEN apo Fronti Europian?

Të mëdha janë gjasat që pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, përbërja qeveritare të formohet duke thyer përsëri marrëveshjen e parimit “fituesi me fituesin”. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit ku Fronti Europian pati epërsi prej rreth 40 mijë votave kundrejt koalicionit VLEN, mund të ndodhë që Fronti Europian të merr më tepër deputetë por në Qeveri të hyjë koalicioni VLEN. Kjo për arsye se VMRO-DPMNE preferon që VLEN-in ta ketë partner koalicioni.

Naim Bajrami nga Fronti Europian, thotë se në demoraci duhet të respektohet partia ose koalicioni i cili ka fituar legjitimitetin nga vet populli. Paralajmëron se nuk do të ketë qeveri pa deputetët e Frontit Europian.

“Në parim në politikë dhe demokraci nuk mund të anashkalojnë legjitimitetin ata që vet kërkojnë legjitimitet. Ku është ideja e demokracisë konsociale që paraqitet si konsensus në demokraci? Atëherë për çka është ky shtet? I gjithë ky kapital politik, nuk mund të menjanohet nga një forcë politike e cila vet kërkon legjitimitet nga populli. Atëherë pse ne duhet të kërkojmë legjitimitet? Nëse ne kërkojmë legjitimitet atëherë ku mbaron ky legjitimitet? Te Mickoski? Të jeni të sigurtë, asnjë garniturë qeverisëse nuk mund të formohet pa deputetët e Frontit Europian”, tha Naim Bajrami – Fronti Europian.