Maqedoni

Gashi në Dibër paralajmëron krijimin e Ministrisë së Diasporës – do të drejtohet nga mërgata

Shqiptarët, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës do të përfitojnë lehtësira në taksa dhe përkrahje në hapjen e bizneseve në vendlindje. Kështu parasheh plani i koalicionit VLEN, të cilin Afrim Gashi, kryetar i “Alternativës” ia ka shpalosur edhe sipërmarrësit e aktivistit nga Dibra, Ibrahim Kolari, i cili është kthyer nga Amerika dhe ka investuar në vendlindje, përcjell Nistori.

Gashi me këtë rast ka treguar se ai, dhe koalicioni VLEN e kanë një program të veçantë për mërgimtarët dhe njerëzit që investojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Subvencionim të taksave dhe tatimeve. Për tre vitet e para të të gjithë atyre që kanë jetuar pesë vite ose më shumë jashtë vendit dhe kthehen të rinvestojnë një shumë 50.000 euro apo më të lartë në hapjen e një biznesi të ri në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Gashi, duke treguar po ashtu se do të ketë edhe përgjysmim të tatimit mbi fitimin.

“Përgjysmimin e tatimit mbi fitimin. Bizneset e filluara nga mërgimtarët do të marrin rimbursim të përqindjes së taksës në bazë të sektorëve ku investojnë (me prioritet teknologjitë e reja, përpunimin e ushqimit dhe bujqësinë moderne) por edhe në bazë të punësimeve që krijojnë (me prioritet punësimin e të rinjve dhe grave)”.

Kurse, një nga pikat më interesant që ka përmendur Gashi, është krijimi i Ministrisë së Diasporës që do të drejtohet prej kuadrove nga mërgata.

“Krijimin e një strukture “Promotorë të MV”, përmes të cilës mërgimtarët veprojnë si ambasadorë ekonomikë dhe tërheqës investimesh. Personalitete të veçanta nga jeta publike dhe sipërmarrësve të mërgatës do të emërohen në pozitën e Konsullit të Nderit në vendet përkatëse, për të ndikuar kështu në përmirësimin e imazhit të vendit dhe komunikimit gjithëpërfshirës të mërgatës sonë me shtetet përkatëse”, shtoi Gashi. /Nistori/