KShZ: Nuk pranohet kundërshtimi i VLEN-it në Likovë
Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk pranoi parashtresën e koalicionit VLEN për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit në një vendvotim në komunën e Likovës.
Me propozim të anëtarit të KShZ-së, Abdush Demiri, është hapur materiali zgjedhor konfidencial nga ky vendvotim, për të cilin u tha se mungojnë dy fletëvotime, andaj kërkoi që votimi në këtë vendvotim të anulohet.
Ndërkohë, nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, kundërshtoi anulimin e votimit duke theksuar se votimi anulohet vetëm nëse ka më shumë fletëvotime në kuti.
“Duke pasur parasysh se gjendja është konstatuar ku dy fletëvotime mungojnë, kërkoj të anulohet votimi në këtë vendvotim në bazë të nenit 151, paragrafi 1, alinea 1 nga Kodi Zgjedhor. Gjithashtu kërkoj të shkarkohet përbërja e këtij vendvotimi, në pajtueshmëri me nenin 31, paragrafi 2.”, – deklaroi anëtari i KShZ-së, Abdush Demiri.
“Vendvotimi anulohet vetëm në raste kur në kutinë e votimit ka numër më të madh të fletëvotimeve se sa nënshkrime, që nuk ishte në këtë rast. Prandaj propozoj parashtresa të refuzohet.”, – theksoi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Në seancën e KShZ-së janë pranuar edhe kërkesat për akreditime shtesë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 8 majit.
Anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko, përkujtoi se nesër, më 30 prill, në mesnatë përfundon afati për regjistrimin e personave të sëmurë dhe invalidë për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, me dorëzimin e dokumentacionit përkatës mjekësor në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.
Ai po ashtu ka theksuar se kërkesat e pranuara të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm për të votuar në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit janë të vlefshme edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale./TVM2