Nxënësit nga e hëna në pushim pranveror, MASH: Orët e humbura do të realizohen
Nga e hëna nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të jenë në pushim pranveror. Ndryshimi në kalendarin e pushimeve vendoset për herë të parë në këtë vit shkollor, dhe i njëti reflektohet edhe në kalendarin mësimor.
Andaj viti shkollor 2023/24 për nxënësit e shkollave fillore do të përfundojë më 17 qershor, ndërkaq për nxënësit e shkollave të mesme 10 qershor sikurse vitet e shkuara.
Nga ministria e arsimit gjithashtu njoftojnë edhe për ditët tjera që s’do zhvillohet mësim me përmbylljen e pushimit.
“Shkollat nuk do të punojnë më 8 maj, e mërkurë, kur do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare. Një ditë më herët, më 7 maj, e martë, në shkollat ku do të organizohet votimi, nxënësit do të ndjekim mësim me orë të shkurtuara deri në ora 11”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit.
Ditët që nuk është zhvilluar mësim për shkak të zgjedhjeve do të kompensohen me orë shtesë. Nxënësit në shkollat e Shkupit do të duhet të kompensojnë edhe mësimin e humbur më 30 nëntor të vitit të shkuar, kur në kryeqytet u organizua Këshilli i Ministrave të OSBE-së.
Për organizimin e orëve shtesë, Ministria e Arsimit ka angazhuar drejtorët e shkollave./TVM2