Maqedoni

Osmani më shumë, Taravari më pak! Ja kush dhe sa para ka marrë nga donacionet për rrethin e parë të zgjedhjeve

Nga 500 denarë deri në 500 mijë denarë janë donacionet që personat fizik dhe juridik i kanë dhuruar kandidatëve për president në rrethin e parë të fushatës, shkruan TV21. Mes atyre që kanë bërë donacione ka edhe deputetë, kryetarë komunash dhe anëtarë të partive.

Më së shumti donacione ka për Gordana Siljanovska-Davkova 19.950.000 denarë ose pak më shumë se 325 mijë euro. E gjatë është lista e saj zgjedhore ku 526 persona kanë dhuruar para.

Mes tyre është edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski i cili ka dhuruar 360 mijë denarë, ndërsa më së shumti ka dhuruar Dimço Atanasovski – 565 mijë denarë. Këtu janë edhe emrat e deputeteve Ane Lashkoska me 150.000 denarë, Dafina Stojanovska 44.000 denarë, Rashela Mizrahi 100.000 denarë, Dejanço Eftimov me 296 mijë, Ministri Teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski me 1000 denarë.

Bujar Osmani nga BDI është i dyti për nga shuma e donacioneve të pranuara me gjithsej 69 mijë euro, por aty nuk përmenden personat që kanë dhuruar, përcjell TV21. Kompania “Hack Commerce” ka dhuruar 185 mijë denarë, ndërsa në llogarinë e tij zgjedhore i janë transferuar 4.100.000 denarë përmes llogarisë së partisë.