Maqedoni

Gashi: Në ndryshimet kushtetuese do të përfshihet edhe heqja e 20%-shit dhe mos-vjetërsimi i lëndëve të korrupsionit politik

Afrim Gashi gjatë prezantimit të bartësve të listave të koalicionit dhe të programin “Plani 2030” në Tetovë, tha se VLEN e ka bërë të qartë se nuk ka dilemë për detyrimin e realizimit të ndryshimeve kushtetuese, që janë të detyrueshme për anëtarësim në BE, përcjell TV21. Gashi tha se VLEN do të propozojë që gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese, të bisedohet edhe për heqjen e 20%-shit që i referohet gjuhës shqipe, por edhe të inkorportimit të nenit për mos-vjetërsim të lëndëve të korrupsionit politik.

“VLEN-i do të propozojë që gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese, të përfshihen edhe ndryshimi i emërtimit të gjuhës shqipe, duke e përmendur me emër, e jo si gjuha që e flasin së paku 20% e popullatës, e që dallon nga maqedonishtja. Gjithashtu kërkesa jonë është që në këto ndryshime të përfshihet edhe neni që e sanksionon mos-vjetërsimin e korrupsionit politik”, tha mes tjerash Gashi./tv21.tv