Në Kosovë ka 30 deri në 40 mijë përdorues të drogës
Rreth 40 mijë përdorues të drogës konsiderohet se janë në Kosovë, prej tyre afër 10 mijë janë në kategorinë e përdoruesve problematikë. Kështu thonë nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë. Ndërsa nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës thonë se prej vitit 2019, nuk kanë vende të lira për arsye të numrit të madh të përdoruesve.
Sipas tyre, mosha mesatare e përdoruesve sillet rreth 30 vjeç ndërsa mosha mesatare e atyre që fillojnë të përdorin narkotikë është 16 vjeç.
Muharrem Ademi nga Qendra Rehabilituese “Labiyrinth” në Prishtinë, ka thënë për Ekonomia Online se kjo qendër ka prezantuar situatën aktuale mbi përdorimin e drogave, ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit të përdoruesve të drogave në Kosovë.
“Në bazë të statistikave në bazë të punës tonë të përditshme në terren edhe kërkesave për trajtim ne aktualisht besojmë dhe vlerësojmë se në Kosovë janë diku rreth 30 mijë përdorues aktiv të drogave prej tyre janë rreth 10 mijë përdorues problematikë të drogave. Ne përdorues problematikë i quajmë personat të cilët përdorin së paku tri herë brenda javës, apo personat të cilët janë të varur prej substancave narkotike”, ka thënë Ademi.
“Na e kemi një data bazë ku secili person që kërkon ndihmë në qendrën tonë ne i regjistrojmë mirëpo jo secilin person ne e regjistrojmë, ne e regjistrojmë persona të cilët kërkojnë ndihmë ma të thellë edhe mjekësore ose që marrin shërbime pak më të thella jo çdo person edhe dëshiron të identifikohet. Ne aktualisht i kemi 2850 persona në databazën tonë ku prej tyre rreth 91% janë meshkuj dhe rreth 9 % janë gra dhe vajza. Mosha mesatare e gjithë këtyre përdoruesve sillet rreth 30 vjeç, ndërsa mosha mesatare e fillimet të përdorimit të drogave është 16 vjeç”, ka thënë Ademi.
Ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë duke theksuar se financat janë ato të cilat u sjellin problemet më të mëdha, sepse sipas tij pasi që nuk po arrijnë të sigurojnë fonde nuk po arrijnë as t’i mbajnë profesionistët që i duhen qendrës për trajtimin e rasteve.
“Ne sfida kemi gjithmonë. Ne si qendër punojmë si një ekip multidisiplinar, përbëhen prej psikologut punëtorëve socialë, doktorit, psikiatrit, infermierit. Jena një ekip i gjerë që kryen detyra të ndryshme. Sa i përket trajtimeve ka shumë raste që trajtohen suksesshëm. Gjithmonë ka sfida, për me braktis përdorimin e drogave nuk është edhe lehtë. Sfida ka si në aspektin e fondeve, aktualisht ne e kemi një projekt që na financon fondi global, i marrë ky fond prej CDF-it ku detyrat kryesore janë parandalimi i HIV-it dhe i sëmundjeve infektuese që do të thotë direkt për përdorim të drogave apo për parandalim, trajtim të drogave aktualisht nuk kemi ndonjë projekt konkret. Domethënë sfida më e madhja është financat se për shkak që me i mbajt profesionistët patjetër që duhesh me pas një fond të sigurte edhe kjo është sfidë goxha e madhe për neve”.
“Problemet më të mëdha që i kemi janë financat. Për t’ i mbajtur profesionistët duhesh edhe me i paguar. Vitin e kaluar komuna e Prishtinës na ka ndihmuar me një projekt gjithashtu edhe ministria e Shëndetësisë na ka ndihmuar me një projekt të vogël po janë projekte afatshkurta jo të qëndrueshme dhe përderisa nuk bëhet një rregullore apo një ligj i cili kishte mundësuar financimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm ka me pas sfida. Aktualisht droga më e përdorur në Kosovë është kanabisi apo marihuana. Pas kanabisit vjen kokaina dhe pas kokainës vijnë këto drogat e klub që quhen droga trekrative qysh janë ekstazia amfitamina. Javën e kaluar e patëm një rast ku ka disa droga të reja sintentike që për neve kenë goxha shqetësuese siç ke tusi shembull ajo drogë është goxha aktive nëpër Evropë dhe shtetet kryesisht në Amerikën Latine ndërsa te ne është hera e parë që është zënë ajo lloje droge dhe është goxha shqetësuese”, ka thënë në fund Ademi.
Nga ana tjetër Ass.Dr.sc. Shpend Haxhibeqiri drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka thënë se prej viti 2019 Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës nuk ka vende të lira për arsye të numrit të madh te personave që kanë kryer vepra penale nën ndikimin e substancave dhe nën ndikimin e ndonjë çrregullimi mendor.
“Siç kemi thënë edhe më herët prej viti 2019 Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës nuk ka vende të lira për arsye të numrit të madh te personave që kanë kryer vepra penale nën ndikimin e substancave dhe nën ndikimin e ndonjë çrregullimi mendor. Situata aktuale është bukur e vështirë për arsye se duhet të themi se nuk ka preventiva adekuate nuk janë duke punuar qendrat në mënyrë siç është dashur të punojnë andaj dhe po vijmë deri të dhuna në familje po vijmë deri te recidivizmat edhe pastaj personi me çrregullime mendore ose si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive po e kryejnë ndonjë vepër penale por po bie në konflikt me ligjin dhe po përfundon në Institutin e Psikiatrisë së Forenzikës, ku tek ne për trajtim të detyrueshëm me ndalim mesatarisht pacienti qëndron nëntë muaj dhe natyrisht se pas nëntë muajsh gjendja e tij shëndetësore është shumë më e mirë është risocializuar është riintegruar dhe faktikisht kthehet në familje si një person jashtëzakonisht me gjendje më të përmirësuar se çka qenë dhe ai nëse ka përdorur substanca psikoaktive pas një abstinencë bukur të gjatë 6 deri në 9 muaj ka mundësi që i njëjti edhe të nxirret prej vazhdimit të përdorimit të substancave psikoaktive”, ka thënë ai.
Specialisti Haxhibeqiri ka theksuar se asnjë pacient nuk lirohet nuk shkon në shtëpi pa u pastruar mirë.
“Asnjë rast nuk lirohet nuk shkon në shtëpi nuk u rekomandohet gjykatave të Kosovës pa u pastruar pacienti mirë dhe pa e arrit një besueshmëri se i njëjti nuk do të gabojë pra faktikisht tek ne nuk ka rast që nuk zgjidhet por është me rëndësi përkrahja motivimi i familjes një kohezion familjar dhe i njëjti që të mos motivohet dhe mos të bie ndesh me njerëz të cilët kanë probleme të njëjta faktikisht rrjetet sociale duhet të privohen në takimin e personave që kanë problematikë të njëjtë”, është shprehur ai.
Haxhibeqiri thënë se është një alarm jashtëzakonisht i madh sepse sipas tij janë të regjistruar rreth 40 mijë abuzues të substancave psikoaktive por këto shifra ai thotë se janë dyfish më shumë pasi që nuk janë të regjistruar.
“Për ne është një alarm jashtëzakonisht i madhe sipas disa informatave që ne i kem zyrtare ose jo zyrtare diku të regjistruar janë 40 mijë abuzues të substancave psikoaktive por këto shifra ne mendojmë se janë dyfish më shumë sepse normalisht të gjithë nuk janë të regjistruar dhe të gjithë nuk kanë kërkuar ende ndihmë shëndetësore ose profesionale psikiatrike psikologjike dhe një argument të iu them se para disa viteve rastet e para të cilat kemi pas dhunë në familje si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive ka qenë 16 vjet ndërsa tani rastet po vijnë edhe të moshës 12 vjeçare pra ai pragu i përdorimit të substancave që ka qenë ndonjëherë 16 17 apo 18 tash ka ra në moshën ende më poshtë 11 dhe 12 vjet që do të thotë se është alarmante jo vetëm për ne që punojmë në sistemin publik ose shëndetësor por për gjithë popullatën. E shoh jashtëzakonisht të rrezikshme sepse Kosovës fillimisht i mungon një institucion i veçantë për trajtimin e sëmundjeve të vartësisë ai ka filluar si një projekt në vitin 2008 është nda edhe një lokacion për trajtimin e këtyre sëmundjeve ne nuk kemi një institucion të tipit të tillë dhe faktikisht barra momentalisht në Kosovë më e madhe na bie neve pastaj edhe institucioneve tjera si klinika ose edhe reparte edhe qendra të njohura në Kosovë si “Labirinth”, ka thënë Haxhibeqiri.
Haxhibeqiri ka treguar edhe për bashkëpunimet që kanë me institucione e organizata duke treguar edhe për mbështetjet që kanë herë pas here.
“Po na kemi mbështetje institucionale. Me kapacitetet të cilat i kemi ne kemi bërë kërkesë të vazhdueshme që kapacitet tona duhet të rriten por për institucion të specializuar të sëmundjeve të vartësisë ai duhet të krijohet si nga aspekti legjislativ ashtu edhe nga aspekti i ndërtesës, objektit e tjera. Ne momentalisht me 36 shtretër jemi me listë të pritjes sepse nuk kemi mundësi të pranojmë më shumë persona se që kemi shtretër. Për momentin ne kemi sfidën prioritare, është mungesa e vendeve të lira dhe e dyta mungesa e infermierëve. Vetëm këtë muaj 4 infermierë e kanë lëshuar Kosovën e kanë paraqitur kërkesën ose tërheqjen dhe kanë kërkuar të lirohen nga obligimet prej vitit 2019 ne jemi mungesë 10 infermierë dhe nuk na janë zëvendësuar”, ka thënë Haxhibeqiri.