“Veprim i ulët, përgjigjen do ta marrë nga shqiptarët më 8 maj” – Kasami i kundërpërgjigjet Grubit për “valixhen”
Kryetari i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, e quan veprim të ulët atë që dje e bëri Artan Grubi nga Fronti Europian, duke shkuar me valixhe para komunës së Çairit. Sipas Kasamit, më 8 maj Grubi do ta marrë përgjigjet nga shqiptarët.
“Ne do t’i themi Artan Grubit sa më shpesh të dalë në opinion e di mirë ai dhe shqiptarët çfarë do të thotë dalja e tij në opinion, sa më shumë të jetë në opinion dhe sa më shumë të na sulmojë, ne jemi me shqiptarët dhe do të vazhdojmë të jemi me shqiptarët dhe qëllimi ynë është të përmirësojmë jetën e shqiptarëve ndërsa qëllimi Artan Grubit është hakmarrja ndaj shqiptarëve. Shqiptarët më 8 maj nuk do ta lejojnë këtë dhe sigurisht me 8 maj do ta shohim se cila do të jetë përgjigja shqiptarëve për këta provokime të ultë të tipit të Artan Grubit”, tha Kasami.
Dje Grubi para komunës së Çairit, gjatë një pres konference, kishte një valixhe me vete duke ironizuar liderët e koalicionit VLEN që të marrin valixhen, pasi humbën më 24 prill.
“E di mor shoku ta di dhe pozitën, po shih sa bukur është top lista, tani merre valixhen edhe ec te shpia! Valixhja është e vogël se kaq të vogla janë punët e tyre, por siç tha edhe Skënder Rexhepi Zejdi le ta mbajnë fjalën një herë në jetën e tyre, le të dorëhiqen ashtu siç thanë, le të bëhen burra, le ta mbajnë fjalën le ta marrin këtë valixhe po ua lë bashkish dhe le të shkojnë ka shpia”, tha Grubi.
Çështja e dorëheqjeve u bë aktuale nga Kreshnik Bekteshi i BDI-së, i cili kërkoi nga të gjitha partitë politike të nënshkruajnë marrëveshje, me çka obligohen që pas zgjedhjeve, ata që humbin të mos merren më me politikë. Këtë sfidë e pati pranuar vet Arben Taravari, duke thënë që kushdo që humbë, duhet të tërhiqet dhe për këtë janë të gatshëm edhe vet ata nga VLEN.
“Tash kemi dy kampe politike, unë mendoj kushdo qoftë që humb, mendoj se duhet të tërhiqet dhe jemi të gatshëm edhe ne sikur që presim edhe prej atyre”, tha Taravari.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, Bekteshi ua kujtojë deklaratën, por përfaqësuesit e VLEN-it nuk kanë bërë ndonjë lëvizje, por vetëm kanë thënë se përgjigjen do ta marrin më 8 maj.