Dorëzimi i kundërshtimeve për rezultatet, koalicioni VLEN dorëzon një kundërshtim, KShZ: Në mesnatë skadon afati
Deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka mbërritur një kundërshtim nga koalicioni VLEN, sa i takon mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Nga KShZ-ja janë duke shqyrtuar kundërshtimin, por pa dhënë detaje të hollësishme. Njëkohësisht thonë se janë të hapur për kundërshtime eventuale të tjera deri në përmbylljen e afateve, pasi një ditë më parë komunikuan rezultatet e para zyrtare.
“Partitë, sa i takon procesit zgjedhor, do të mund të dorëzojnë kundërshtime deri në ora 19:00, ndërkaq afati për të kontestuar rezultatin zyrtar skadon në mesnatë. KShZ-ja është e obliguar që në afat prej 72 orëve nga momenti i marrjes së kundërshtimeve, të shqyrtojë të njëjtat dhe të komunikojë vendimin.”, njoftojnë nga KShZ-ja.
Në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, të drejtën e votës e shfrytëzuan gjithsej 905 mijë 971 qytetarë, apo 49.93%. Nga rezultatet e kumtuara u vërtetua avantazhi bindës i kandidates për presidente të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, duke grumbulluar 40.08% të votave, i dyti renditet Stevo Pendarovski me 19.92%. Vijon Bujar Osmani me 13.37% në epërsi votash në 16 komuna krahasuar me Arben Taravarin, i cili ka grumbulluar 9.20% të votave. I katërti renditet Maksim Dimitrievski me 9.26%, ndërkaq dy të fundit janë Biljana Vankovska dhe Stevço Jakimovski. Nga KShZ-ja e cilësojnë si të suksesshëm procesin e votimit, me vetëm 24 mijë e 562 fletëvotime të pavlefshme. Gara në rrethin e dytë të presidencialeve të 8 majit i lihet Siljanovskës dhe Pendarovskit.