Top Channel shkruan për “takim të fshehtë” Taravari-Ahmeti, demanton Taravari: Spekulim absolut!
Televizioni Top Channel nga Tirana ka raportuar se kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka zhvilluar një takim të fshehtë me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin teknik të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.
Zhurnal ka kontaktuar me Taravarin, i cili shkurtimisht e ka komentuar këtë informacion. “Spekulim absolut”, është shprehur Taravari për Zhurnal, duke shtuar:
“Me keqardhje mësova sot nga një media tepër serioze e Shqipërisë si është Top Channel se unë qënkam takuar mbrëmë me z.Ahmeti dhe funksionarë të tjerë të BDI-së, për të dëgjuar ofertë nga z.Ahmeti.
Jo, nuk është e vërtetë. Kushdo që e ka çuar këtë lajm në Top Channel gënjen.
Unë mbrëmë u urova me ekipin tim dhe të qetë sot vazhdojmë punën tonë Drejt Ndryshimit!
Me ofertat e Ahmetit unë jam mësuar dhe mendoj se nuk do të ishte habi të më vinte një e tillë, por ky lajm është i rremë., tha Taravari për Zhurnal.mk
Top Channel nuk është ndalur me kaq po ka raportuar se takimin e ka konfirmuar vetë Taravari për mediat vendase edhe pse asnjë media në Maqedoninë e Veriut nuk ka publikuar deklaratë të tillë të Taravarit. Kjo shton dyshimet se po tentohet përmes mediumeve jashtë Maqedonisë të ndikohet në përçarjen e koalicionit VLEN, i cili sipas shumë së analistëve do të përfaqëson shqiptarët në Qeverinë e ardhshme.
Informacionin e ka komentuar edhe Izet Mexhiti, lider i “Lidhjes Demokratike”.
“Sapo bisedova me Taravarin, ky është fake neës i Artan Grubit”, deklaroi Mexhiti për Zhurnal./Zhurnal