Qytetarët ia shohin “hajrin” zgjedhjeve: Nesër dhe më 8 maj, ditë pushimi për të gjithë qytetarët
Për shkak të zgjedhjeve presidenciale, nesër dhe më datë 8 maj, tregtarët nuk duhet të punojnë, shkruan Alsat.
Inspektorati Shtetëror i Tregut paralajmëron kontrolle në terren për të parë nëse punëdhënësit e respektojnë vendimin e Qeverisë për ditë jopune.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut u bën me dije të gjithë punëdhënësve se sipas vendimit të Qeverisë, të miratuar më 16 prill, ditët 24 prill (e mërkurë) dhe 8 maj (e mërkurë) janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët. Punëdhënësit nuk duhet të kryejnë veprimtari në ditët e përcaktuara, me përjashtim të fushave, ku procesi i punës nuk mund të ndërpriten për shkak të natyrës së tyre”, tha Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Lidhur me vendimin e Qeverisë, kanë reaguar nga Lidhja e Odave Ekonomike. Vlerësojnë se kjo do të ndikojë negativisht në ditët e tjera të punës gjatë javës. Thonë se askush nuk i ka konsultuar lidhur me këtë vendim.
“Konkretisht, askush nuk e ka diskutuar këtë vendim me ne. Kur shpallni një ditë jo pune të mërkurën, e keni zgjidhur negativisht gjithë javën dhe e hëna dhe e marta janë relativisht joefektive, si dhe e enjtja dhe e premtja. Një situatë vërtet shumë e pakëndshme. Ky nuk është vendimi ynë, politikanët marrin vendime për datat e zgjedhjeve që u duhen për të pasur pjesëmarrje”, u shpreh Trajan Angellovski, Kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.
Në vendimin e marrë në seancën e qeverisë është theksuar se ditët e lira janë për të gjithë qytetarët me qëllim që secili të mund, pa pengesa, të realizojë të drejtën e votës. / Alsat.mk