Revizioni, parregullsi në gjimnazin e Tetovës
Komuna e Tetovës ka shpalosur raportin e revizionit i brendshëm për gjimnazin e Tetovës, “Kiril Pjeçinoviq” ku siç theksohet janë hasur shkelje të shumta financiare, sidomos te transporti i nxënësve. Sipas raportit edhe përkundër kontraktimit të shumës ditore prej 3354 denarëve, kompania ka faturuar dyqind për qind harxhime. Për tre muaj, janë faturuar afër 500.000 denarë.
“Revizioni ka konstatuar se njëra nga kompanitë për transportin e nxënësve, vetëm për një ditë ka faturuar 8.476,00 denarë për transportin e nxënësve, kurse shuma ditore e kontraktuar ka qenë 3.454,00 den. Me këtë kuptohet se ish drejtoresha Llalla i ka mundësuar këtij transportuesi që në ditë të marrë 5.022,00 denarë më tepër. Thënë më qartë, për tre muaj, kjo kompani ka faturuar mbi 411.804,00 den më tepër. Shkelje janë konstatuar edhe në procesin e furnizimit me naftë për ngrohje”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Sipas sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, rasti është denoncuar edhe në prokurori.
“Patjetër që komuna e Tetovës do respektoj çdo vendim që do merret nga organet kompetente, dhe nëse do kemi akt të tillë patjetër se do marrim veprim për prishje të kontratës nëse këtë e konstatojnë organet kompetente”, tha Nazmi Dauti, shef i Sektorit për veprimtari Publike – komuna e Tetovës.
Nga komuna e Tetovës thonë se shkaku i këtyre shkeljeve por edhe vonesave të pagesave nga ana e Ministrisë së Arsimit, shkolla është zhytur në borxhe të majme./Alsat.mk