Pas sulmit izraelit ndaj Iranit, rriten çmimet e naftës
Çmimet e naftës dhe arit janë rritur, pasi zyrtarët amerikanë thanë se një raketë izraelite e ka goditur Iranin.
Çmimi në bursën ndërkombëtare “Brent” u rrit për 1,8 për qind dhe shkoi në 88 dollarë për një fuçi nafte të papërpunuar, ndërsa çmimi i arit për pak kohë iu afrua rekordit, para se të lirohej përsëri, raporton televizioni BBC.
Investitorët e kanë përcjellë me kujdes reagimin e Izraelit ndaj sulmit të drejtpërdrejtë të Iranit me dronë e raketa fundjavën e kaluar.
Ka shqetësime se përkeqësimi i konfliktit në Lindje të Mesme mund ta pengojë furnizimin me naftë.
Çmimi i naftës fillimisht u rrit për 3,5 për qind, por ra përsëri, pasi mediat shtetërore iraniane thanë se “nuk ka dëme” në provincën Isfahan, ku kishte raportime për shpërthime.
Rritja e ndjeshme dhe e qëndrueshme e çmimit të naftës paraqet rrezik për ngritjen e inflacionit. Shtetet varen shumë nga kjo lëndë.