Maqedoni

Inside Story/Ali Ahmeti: Dikur shqiptarët dhunoheshin, sot janë në drejtim oficerë shqiptarë

Shqiptarët më herët nënçmoheshin. Përherë ishte një polic i cili kontrollonte një fshat, kontrollonte një rrugë dhe ai ushtronte dhunë dhe terror mbi komunitetin.

Ndërsa sot në radhët e policisë dhe të ushtrisë janë shtuar edhe shqiptarët që i falin siguri komunitetit në gjuhën e tyre amtare.
‘Përpara kur e shihje nëj polic duhej të gjeje mënyrë të largoheshe të mosballafaqoheshe me të. Këtë e them nga eksperienca ime si fëmijë por edhe si i rritur. Ishte një qëndrim shumë armiqësor këtë e flas me sinqeritet jo me qëllim’ u shpreh Ibrahim Mehmeti, analist.

‘Para 2001 policia poshtë e lartë është parë si një forcë nga e cila duhet të kesh frikë jo një forcë e cila duhet të ta garantojë sigurinë pra duhet të të heq frikën. Ky perceptim i policisë nga ana e shqiptarëve këtu ka ndryshuar pikërisht me atë që është benefit i marrëveshjes së Ohrit’ u shpreh Xhelal Neziri, analist.

Jo vetëm që janë prezentë, por sot shqiptarët i gjen edhe në pozita drejtuese në polici dhe ushtri.

‘Para vitit 2001 në Maqedoni ka pasur vetëm 76 policë shqiptar sot janë mbi 2000 policë në forcat e sigurisë së shtetit. Deri në vitin 2001 në Maqedoni ka pasur 56 oficerë dhe nënoficerë sot janë 2000 në armatën e Maqedonisë. Korpusi i veriut të armatës udhëhiqet nga një gjeneral shqiptar, Kumanova me Shkupin’ u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokrat për Integrim.