Maqedoni

Kovaçevski për MIA-n: Kemi plan të qartë për shtetin, i cili do të vazhdojë procesin e integrimit evropian

Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n njoftoi se kandidatët për deputetë të koalicionit “Për ardhmëri evropiane” në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare në të gjitha vendbanimet do ta prezantojnë programin dhe planin e tyre, siç shprehet, të qartë për shtetin, i cili do ta vazhdojë procesin e vet të integrimit evropian. Vlerëson se rrjedha aktuale e fushatës presidenciale deri para disa ditësh ishte demokratike dhe e qetë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve, po ashtu edhe retorika di të bëhet më e ashpër.

“Por, megjithatë mendoj se me disa përjashtime, fushata presidenciale deri më tani është zhvilluar në ambient demokratik ku kandidati ynë presidencial Stevo Pendarovski prezanton programin e tij, vizionin e tij për një Maqedoni evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për paraqitjet e mia në disa nga mitingjet e tij. Fillon fushata për zgjedhjet parlamentare, në të cilën kandidatët për deputetë nga lista e Koalicionit “Për të ardhmen evropiane” do të kalojnë të gjitha vendbanimet dhe ku do të arsyetojmë programin tonë, planin tonë të qartë për një shtet që do të jetë i begatë dhe do të vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe një shtet që do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”, shprehet kryetari i LSDM-së.

Lidhur me pretendimet se ka pasur ndërhyrje ose përpjekje për të ndërhyrë nga jashtë në fushatën zgjedhore, Kovaçevski tha se sigurisht që ka pasur përpjekje dhe ndërhyrje nga palët e treta jo vetëm në zgjedhje, por edhe në jetën e përditshme politike në Maqedoni. Mbi të gjitha, siç tha, u referohet shteteve që nuk duan ta shohin Maqedoninë si pjesë të BE-së dhe që duan që ne të kemi çështje të hapura dhe konflikte të hapura jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.

“Mirëpo, megjithatë konsideroj se ne si shtet kemi kapacitet, kemi gjithashtu njerëz dhe institucione që do t’u mundësojnë qytetarëve të japin votën e tyre në mënyrën më demokratike edhe në këto zgjedhje. Sigurisht, deklaratat e mia që kam bërë në të kaluarën, por edhe nga deklaratat e partnerëve tanë strategjikë të përfaqësuesve të lartë në Maqedoni ndihet ndikimi nga palët e treta, veçanërisht ato që lidhen me Rusinë ose disa prej satelitëve të tyre, përmes partive politike ose përmes organizatave të caktuara, duan të ndikojnë në imponimin e retorikës ndryshe nga ajo që duan dhe meritojnë qytetarët e Maqedonisë”, bën të ditur Kovaçevski.

Një nga çështjet aktuale që është ngritur në publik këto ditë është njoftimi nga ministri teknik i Punëve të Jashtme Bujar Osmani për të rishikuar pjesëmarrjen e vendit tonë në nismën Ballkani i Hapur. Kovaçevski shprehet se Ballkani i Hapur është iniciativë origjinale me origjinë nga rajoni i formuar nga tri shtete – Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia, e cila bazohet në katër liritë e Bashkimit Evropian.

“Ajo ka në thelbin e saj, në fundamentin e saj, postulatet e funksionimit të Bashkimit Evropian, që është lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e kapitalit, e produkteve dhe lëvizja e lirë e shërbimeve. Dhe kur shikoni nismat që janë bërë brenda kornizës së Ballkanit të Hapur, ato janë pikërisht kjo. Në intervistë, Kovaçevski u referohet rezultateve të kësaj iniciative, duke theksuar se mbetet në qëndrimin se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm.