Maqedoni

Balancuesi hyri në fushatën parazgjedhore – dikush do ta heqë, dikush ta reformojë

Edhe pse fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë pas një jave, pretendentët për një vend në Kuvend tashmë e kanë kaluar fazën e nxemjes. Një nga çështjet që është në tavolinë është balancuesi – mjet i cili përcakton se cilës përkatësi etnike duhet t’i përkasë jetë një zyrtar i caktuar në rastet kur një institucion publik bën shpallje për punësim. Ne e matëm pulsin e partive për këtë temë, e cila – edhe praktikisht por edhe për nga rëndësia – prek shumë qytetarë të vendit, shkruan , njofton Portalb.mk.

Balancuesi është emri i mjetit që përcakton se çfarë përkatësie etnike duhet të kenë administratorët kur institucionet publike punësojnë punonjës të rinj. Dhe përderisa siguron përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike, ky model shpesh është edhe subjekt i kritikave. Tani është bërë temë e nxehtë në këtë periudhë parazgjedhore.

“Kjo nuk është kërkesë e jona. Ky është konstatim nga Raporti i procesit të skriningut, në të cilin vetë Bashkimi Evropian thotë se duhet të hiqet sepse e ka përmbushur funksionin e tij. Këtë nuk e themi ne si VMRO-DPMNE”.

– Ju thatë se do e vendosni atë si kusht për koalicion.

“E saktë. Ta respektojmë atë që e kërkojnë zyrtarët evropianë në raport“, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Në pjesën e balancuesit, tashmë është përgatitur plani i reformës në bazë të procesit të skriningut, në të cilin është paraparë një revizion i plotë i balancuesit. Pse? Sepse keqpërdoret dhe nuk i jep rezultatet që kanë të bëjnë me profesionalizimin cilësor të administratës publike”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

A duhet të presim heqjen e balancuesit, siç e njoftojnë nga VMRO-DPMNE-ja, apo revidimin e tij – siç thonë nga LSDM-ja?

Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në sektorin publik ka qenë vlerë themelore kushtetuese që nga viti 2001 dhe ka kontribuar në integrimin e komunitetit shqiptar dhe të komuniteteve të tjera jo pakicë në institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal. Por mjeti i përdorur për ta zbatuar këtë – i ashtuquajturi balancues – gjithnjë e më shumë po kritikohet për keqpërdorime.

Për vite me radhë mediat kanë raportuar për raste të keqpërdorimit dhe palogjikshmërive të lidhura me balancuesin. Ndër më të fundit është shpallja nga Pyjet Kombëtare për punësimin e 12 druprerësve shqiptarë në Berovë – komunë në të cilën sipas regjistrimit të popullsisë ka vetëm një shqiptar. Mund të gjenden edhe dhjetëra, nëse jo qindra, tekste për të se si kandidatët e ndryshojnë etninë e tyre sipas kërkesave të shpalljes. Kështu, ka raste kur një person aplikon për disa pozicione në të njëjtën kohë, në secilin prej tyre me një përkatësi etnike të ndryshme.

Por, përveç se nga vendi, kritika për balancuesin ka edhe nga jashtë. Në Raportin e skriningut për Klasterin 1 “Vlerat Themelore” , të cilin Komisioni Evropian e publikoi në gusht të vitit 2023 thuhet se:

Balancuesi … nuk i përmbush më qëllimet, pasi përqindjet në formulë nuk i pasqyrojnë të dhënat për popullatën rezidente sipas regjistrimit të fundit, thuhet në Raportin e skriningut të Komisionit Evropian për Klasterin 1.

Përveç kësaj, në raport thuhet se procedurat paralele të rekrutimit e minojnë sistemin e përfaqësimit të drejtë dhe të ashtuquajturin sistem të meritave. Në raport nuk shkruan, por një nga mekanizmat e punësimit që e përdorin institucionet është marrja në punë e punonjësve, kur këmbehen kuadrot “tanë” për kuadrot “tuaj” partiak.

Qëndrimin më decid për këtë çështje në programin e saj zgjedhor e ka VMRO-DPMNE-ja. Nga kjo parti thonë se balancuesi duhet të hiqet. Ato i referohen Raportit të skriningut të Komisionit Evropian për klasterin 1.

“Përdorimi i balancuesit dhe keqpërdorimi i tij e shkatërron plotësisht parimin e profesionalizimit dhe kompetencës, që është parimi themelor për punësim dhe angazhim në administratën publike, që do të thotë se fillimisht zgjidhet se çfarë kombësie janë qytetarët dhe pastaj merren në konsideratë dhe maten cilësitë, arsimi, biografia, përvoja e mëparshme, njohuritë, kompetencat etj. Kjo do të thotë se mjeti e bën absurd procesin e punësimit në administratën publike, prandaj ne mendojmë se duhet të hiqet, natyrisht duke respektuar vlerën themelore të Kushtetutës, që do të thotë përfaqësim i drejtë dhe adekuat “, thotë Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE-ja presin që pas një qëndrimi të tillë të qëndrojnë edhe partnerët e mundshëm të koalicionit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve.

“Këto postulate që i kemi si zotim në programin e VMRO-DPMNE-së për këto zgjedhje do të jenë edhe pjesë e programit të negociatave. Ato parti që janë të gatshme të pajtohen me qëndrimet tona, me projektet, politikat dhe idetë tona, do të jenë të mirëseardhura të na bashkëngjiten në qeveri dhe ta formojmë atë së bashku. Sigurisht që në procesin e negociatave edhe palët e tjera do t’i kenë kërkesat e tyre, do të diskutojmë për ato dhe do të shohim se ku mund të gjejmë atë që është e përshtatshme për të dyja palët, pra çfarë është e pranueshme”, shtoi Andonovski.

Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja publikisht është kundër koalicionit me BDI-në, partneri i tyre i mundshëm i koalicionit, në rast të formimit të qeverisë është koalicioni “Vlen”. E pyetëm kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nëse do të kishte pranuar heqjen e balancuesit si kusht për të hyrë në qeverinë e ardhshme. Ai nuk ishte decid.

“Nëse mendohet se të gjithë jomaqedonasit, sipas definicionit, janë të pakualifikuar për në administratë shtetërore, kjo është e papranueshme. Nëse kërkohet që në pjesën për përfaqësimin, përveç kësaj të jetë edhe cilësia e personave që do të punësohen, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë, pra të gjejmë një zgjidhje që do ta marrë parasysh edhe meritokracinë në pjesën e punësimit në administratën shtetërore”, thotë Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

360°: Pra, për ju heqja nuk vjen parasysh?

“Ne e kemi thënë këtë. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për çdo gjë. Të gjejmë një mekanizëm tjetër që është i ngjashëm me balancuesin në të cilin do të parashihet edhe përkatësia etnike edhe sistemi i meritave”, thotë Arben Taravari, kandidat për president nga koalicioni “Vlen”.

Bashkimi Demokratik për Integrim është kundër heqjes së balancuesit. Por, si edhe partneri i tyre aktual i koalicionit LSDM-ja, ata pajtohen se duhen bërë reforma. Ata janë të vetëdijshëm se ka keqpërdorime të këtij mjeti, por besojnë se heqja e tij do të nënkuptonte kthim një hap mbrapa.

Sipas tyre kjo ide çon drejt destabilizimit.

“Ne mendojmë se duhet të përmirësohet që të mund të parandalohet çdo keqpërdorim dhe që me të vërtetë të shërbejë si një mjet për të ndjekur përfaqësimin e drejtë. Mendojmë se këto deklarata nuk janë të reja, nuk janë befasi për ne, sepse kemi dëgjuar deklarata të tilla, që kërkojnë heqjen e Badenterit, balancuesit dhe disa dispozitave të tjera të parashikuara në Kushtetutë dhe ligje. Kjo është pjesë e agjendës së Rusisë për polarizim më të madh të shoqërisë sonë, për krijimin e tensioneve dhe për destabilizim të plotë”, thotë Arbër Ademi nga BDI.

Nga LSDM-ja në pushtet disa herë kërkuam të bëjmë një intervistë në të cilën do të shpjegonin se si propozojnë të bëhet reformimi i balancuesit. Por, nga kjo parti nuk na dhanë asnjë deklaratë.

Kjo nuk do të thotë se ata nuk e kanë idenë se si ta revidojnë balancuesin. Ashtu siç kjo nuk do të thotë se kjo nuk do të bëhet sërish një temë e nxehtë në përllogaritjet mes dy partive më të mëdha dhe liderëve të tyre. Në fund të fundit, bilancuesi është pjesë e udhërrëfyesit për reformën në administratën publike – pranimi i së cilës nga Brukseli është një nga parakushtet për hapjen e Klasterit të parë, kur të vazhdojnë negociatat e vendit me BE-në.

Manipulimi me përkatësinë etnike ende vazhdon. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, në fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh këtë problematikë, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.