Rajon - Botë

Në deklaratë është thënë se sulmi është quajtur, “Operacioni Premtimi i Vërtetë”.

Aty nuk janë dhënë shumë hollësi për natyrën e sulmit, përveç se është konfirmuar që forca ajrore iraniane ka nisur “dhjetëra raketa dhe dronë drejt shënjestrave specifike” në Izrael.

Ky njoftim vjen pas disa ditëve të raportimeve se Irani ka qenë duke e përgatitur një sulm kundër Izraelit, pas sulmit në konsullatë, që ka lënë të vdekur edhe komandantë të lartë iranianë.

Izraeli nuk e ka komentuar asnjëherë këtë sulm, por Teherani e mban përgjegjës.

Irani thotë se sulmi i tij ndaj Izraelit është një përgjigje ndaj sulmit të Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask dhe “çështja mund të konsiderohet e përfunduar”.

Misioni i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork tha se sulmi herët të së dielës ishte një përgjigje ndaj “agresionit izraelit kundër objekteve tona diplomatike në Damask”. Izraeli në fillim të këtij muaji goditi një ndërtesë iraniane në kryeqytetin sirian Damask, me një zëdhënës ushtarak duke thënë se Izraeli besonte se ndërtesa iraniane e goditur në sulm ishte një “ndërtesë ushtarake”. Misioni iranian tha se çështja “u konsiderua e përfunduar”.

“Sidoqoftë, nëse regjimi izraelit bën një gabim tjetër, përgjigja e Iranit do të jetë dukshëm më e ashpër. Është një konflikt midis Iranit dhe regjimit mashtrues izraelit, nga i cili SHBA duhet të rri larg,” shkroi Misioni i Përhershëm i Iranit në deklaratën e tij në X. /CNN