VLEN: Ndryshimet kushtetuese, kusht për koalicion me VMRO-DPMNE-në
“Të gjithë ikin nga BDI-ja, jo vetëm VMRO-ja, por edhe LSDM-ja është hakmarrë së fundi për marrëdhënie jokorrekte, për partner të padëshiruar për skandalet e mëdha korruptive, ndërhyrjet në gjyqësor etj. Faleminderit Mickoskit, por tani jemi të përkushtuar për zgjedhjet presidenciale”, deklaroi Izet Mexhiti – Koalicioni “Vlen”.
Ofertën e VMRO-DPMNE-së për koalicion me opozitën shqiptare e kanë komentuar sot edhe socialdemokratët. Sipas tyre, Mickoski nuk ka marrë përgjigje për shkak të agjendës evropiane.
“Qëllimi i vetëm i DPMNE-së është mbajtja e shtetit të bllokuar, të izoluar, kundër agjendës evropiane, të cilën çdo subjekt politik në shtet e mbështet”, tha Sanela Shkrijelj – LSDM.
Më herët opozita shqiptare tha se ka një të ashtuquajtur marrëveshje xhentëlmene me partitë shqiptare në pushtet, se ndryshimet kushtetuese për vazhdimin e rrugës së integrimit europian do të jenë kusht për formimin e Qeverisë së ardhshme. Ata thonë se do të tentojnë ndryshimin e Kushtetutës në gjashtë muajt e parë të përbërjes së re të qeverisë. Në anën tjetër, BDI thotë se nuk është marrëveshje xhentëlmene, por dokument i shkruar. Në dokumentin, i cili është nënshkruar nga shumica e liderëve të partive shqiptare, thuhet se ndryshimi i Kushtetutës duhet të bëhet para se të konstituohet Qeveria e re. Opozita shqiptare pretendon se nuk ka asnjë dokument të shkruar – nëse ka BDI-ja një të tillë duhet ta publikojë, përndryshe gënjen. /Alsat.mk