Dossier

Qershori i 2001 ishte i përgjakur dhe plot heroizma

Fejzulla Arifi

Ata menjëherë i gjuajnë me tanke dhe mjete tjera pozicionet në fjalë duke lënë të vrarë dëshmorët, Shefik Miftarin dhe Agim Zenunin. Forcat e UÇK-së menjëherë nga situata e krijuar kishin filluar të riorganizohen duke u shkuar në ndihmë edhe përforcime tjera dhe luftimet do të marrin flakë atë ditë në të gjitha pozicionet, qofshin ato në kodrina, por edhe në vijën frontale përballë “bunarit të Bejës”. Luftime të ashpërta dhe sulme me helikopter dhe tanke ushtria sllavomaqedonase po ndërrmerte edhe te pozicionet tona, të atyre në mes dhe te “Plepi i Egër“ por gjithashtu tentime për depërtime kishte edhe te pozicionet e “Kurisë së Plakë”.
Këtë ditë, në orët e paraditës bie dëshmor edhe Shenasi Ibrahimi si pasojë e këtyre sulmeve. Qëndresa e tij me shokët e vetë kishte qenë vërtetë heroike në mbrojte të pozicionit te asfalti ku distanca ndërmjet pikave tona dhe ushtrisë maqedonase lëvizte nga gjashtëqind deri në njëqind e pesëdhjet metra duke krijuar situata skajshmërisht të rrezikshme dhe me pasoja të rënda. Luftimet nuk po pushonin edhe në mbrëmje dhe gjuajtjet me minahedhës të rëndë pandërprerë po vazhdonin. Atje lartë te pishat ku ishin pozicionet tona nga bombrdimet po digjej mali kështu që e kishte vështirësuar edhe tërheqën e kufomave të dëshmorëve të posa rënë.
Kjo ishte ditë e vështirë dhe do të lë gjurmë të pashlyeshme në këtë luftë heroike. Ngjitja e armikut në atë pozicion strategjik bëri që neve që ishim në pozicionet e para të na vështirësohet situata tej mase pasi që tani më na gjuanin nga prapa shpinës, sepse ne ishim rreth një kilometër larg nga qendra e fshatit dhe ishim në afërsi të pozicioneve tjera që i kishin ata te “Bunari i Bejës” dhe në fshatin Opajë. Snajperët e tyre parreshtur po i përcjellnin lëvizjet tona në istikame dhe na gjuanin pandërprerë kështu që na e bënë të pamundur të vazhdonim me hapjen dhe përforcimin e istikameve gjatë ditës, prej tani të gjitha lëvizjet po i bënim gjatë natës. Kështu kjo situatë do të vazhdojë edhe për dy ditë tjera.

Shkëputje nga libri “Betejat e paharruara – 2001”.