Maqedoni

Xhaferi: Të vazhdojmë në rrugën e drejtë dhe të përparojmë së bashku!

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dërguar urime për festën e Ramazan Bajramit drejtuar kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, si dhe për anëtarët e Rijasetit, myftinjve dhe besimtarëve të besimit islam, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ramazan Bajrami, uroj të sjellë shëndet, paqe, mirëqenie dhe harmoni në shpirt, në familje, në shtet. Është festë që i bashkon familjet, të afërmit, miqtë, fqinjët ndër shekuj, duke përcjellë mesazhin e vlefshëm se vetëm lumturia e përbashkët sjell lumturi të vërtetë. Është festë e cila nxit solidaritetin dhe forcën shpirtërore te njerëzit për respekt të ndërsjellë, për durim dhe mirëkuptim, si rrugë e vetme drejt paqes së dëshiruar. Prandaj, le të bëjmë vepra të mira, le të jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe me dorën e shtrirë ndaj njëri-tjetrit të përparojmë bashkë të gjithë”, tha ai.