Maqedoni

Komuna e Dibrës kërkon ndihmën e QMK-së për shuarjen e dy zjarreve nga ajri

Komuna e Dibrës mbrëmë ka dërguar kërkesë në QMK për të ndihmuar urgjentisht në shuarjen nga ajri të zjarreve që po flakërojnë në afërsi të fshatrave Tatar Elevci dhe Bomovë.

“Ju drejtohemi për ndihmë për shuarjen e zjarrit në afërsi të fshatit Tatar Elevci në lartësinë njëmijë metra nga qyteti i Dibrës, ku një sipërfaqe prej 10 hektarësh është prekur me tendencë të madhe për t’u përhapur për shkak të pylli me kërcell të ulët. Po ashtu, nevojitet ndihmë në shuarjen e zjarrit në Bomovë, ku zjarri ka dy ditë që ka rënë dhe ku janë prekur edhe gështenjat”, thuhet në kërkesë.

Njëkohësisht thuhet se janë punësuar 14 zjarrfikës, aq sa numëron Njësia Territoriale e Zjarrfikjes Dibër, tetë prej tyre për shuarjen e zjarrit në Tatar Elevci dhe katër në Bomovë.

Në shuarje është përfshirë edhe policia pyjore, por për shkak të terrenit të paarritshëm, shuarja është e vështirë.

“Fatkeqësisht, për shkak të terrenit të paarritshëm malor dhe pyllit të dendur, është e pamundur që automjetet e NJTZ të marrin pjesë në fikjen e zjarrit në Tatar Elevci. Gjithashtu, për shkak të shpejtësisë së përhapjes së zjarrit dhe mungesës së potencialit njerëzor dhe tjetër, komandanti i njësisë shprehet se nuk është e mundur vënia nën kontroll”, thuhet në kërkesë.

Përsëritet apeli për të ndërhyrë urgjentisht nga ajri në të dy zjarret, që ndodhen përgjatë kufirit me Shqipërinë fqinje.