Zgjedhjet, BDI në koalicion me Unionin Demokratik Boshnjak, mbyllen koalicionet dhe listat për deputetë
Frontit Evropian, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, iu bashkëngjit edhe Unioni Demokratik Boshnjak. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Unionit Demokratik Boshnjak, Munir Kolashinac u dakorduan se Kolashinac do të jetë pjesë e listave zgjedhore të Frontit Evropian për deputetë në Zonën e 1-rë zgjedhore, transmeton TVM2.
Deri më tani Fronti Evropian ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, Aleancën për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, Lëvizjen “Populli” të Skender Rexhepit, Partinë Demokratike Evropiane të Arjanit Hoxhës, Partinë Demokratike Turke të Bejxhan Iljasit, Unionin e Romëve të Fatima Osmanovskës, Lëvizjen e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci të përfaqësuar nga Sulejman Baki. Ditë më parë kryetarët e të gjitha partive politike pjesë të Frontit Evropian nënshkruan deklaratë të përbashkët dhe u rreshtuan pas 10 zotimeve të Osmanit në rolin e presidentit të shtetit.Ndërkohë, Koalicioni VLEN, përfshinë Aleancën për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, Lëvizja Demokratike në krye me Izet Mexhitin, Lëvizja “Besa” në krye me Bilall Kasamin dhe Alternativa me Afrim Gashin.
Ndërkohë, koalicionimet i ka përfunduar VMRO-DPMNE-ja dhe atë e përbëjnë 24 subjekte politike, disa prej të cilave së fundmi u larguan nga LSDM-ja. Deri më tani vetëm disa nga partitë politike që garojnë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare i kanë shpalosur programet e tyre zgjedhore. Janë shpalosur edhe listat zgjedhore, ndërsa në garë për president janë 7 kandidatë.
Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të mërkurën, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, do të nënshkruajnë Deklaratën për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes. Nënshkrimi i Deklaratës është një ngjarje tradicionale e organizuar nga Instituti i Ohrit që nga viti 2014 dhe mbahet para çdo cikli zgjedhor. Deklarata do të nënshkruhet nga kryetarët dhe anëtarët e rinj të partive politike. Fushata për zgjedhjet presidencialeve të 24 prillit nis më 4 prill dhe do të zgjasë 20 ditë.