Protestë në Gjorçe Petrov. “Ndërtim i shkollave dhe kopshteve, e jo e rrokaqiejve”
Qindra qytetarë dolën në një marsh proteste kundër zbatimit të Planit të Detajuar Urbanistik për lagjen e qytetit C316, i cili parasheh ndërtimin e tridhjetë objekteve të larta në hapësirën përballë tregut në lagjen Gjorçe Petrov.
Nga protesta iu dërguan mesazhe kryetarit të komunës Aleksandar Stojkoski dhe shumicës në Këshill që të heqin dorë nga plani i cili sipas tyre do të rrezikojë jetën humane në komunë.
“Kryetari Stojkovski ndoshta nuk e di se banorët e Gjorçe Petrovit, tashmë kanë problem serioz me ujësjellësin, me parkimin dhe me ndotjen e ajrit. PDU i cili parasheh, siç e quajtëm “përbindëshi i betonit” me mbi 30 ndërtesa të reja, disa mbi 20 kate, mbi 4000 banesa të reja dhe mbi 10 mijë banorë të rinj në komunë, mendojmë se seriozisht do t’i shtojnë problemet e qytetarëve”, tha Goran Simovski.
Thonë se kryetari po e betonon Gjorçen dhe sepse ka sjellë një PDU me të cilin do të ndërtohen mbi 30 objekte me mbi 20 kate dhe 4000 banesa të reja.
“Kërkojmë nga kryetari Stojkovski që të dëgjojë zërin e banorëve të Gjorçe Petrovit dhe të pranojë dorën tonë të zgjatur dhe së bashku të votojmë për pezullimin e PDU veçanërisht në pjesën e ndërtesave të larta. Po ashtu, për shkak se nuk jemi të bindur se e gjithë procedura është zhvilluar në mënyrë korrekte, kërkuam qasje në dokumentacion, nga çka më tej do të varen hapat tanë të ardhshëm në luftën kundër mafies urbane dhe kryetarit Stojkoski të Gjorçe Petrovit”, shtoi Simonvski.
Ndryshe, Këshilli i Komunës së Karposhit në seancë të jashtëzakonshme ka marrë vendim për ankesë në Gjykatën Kushtetuese për Planin e Detajuar Urbanistik SZ16, sepse sipas kryetarit Stevço Jakimovski është miratuar në mënyrë kriminale dhe më e keqja është se në të gjenden tre fabrika kimike, të cilat kërcënojnë drejtpërdrejt jetën në Karposh, sidomos të banorëve të Vllaes.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, tha se do të kërkojë para Gjykatës Kushtetuese ndërprerjen e zbatimit të PDU-së së miratuar, për shkak se Këshilli i Komunës së Gjorçe Petrovit votoi ndryshimin e planit, i cili në mënyrë drastike ndërtimet e lejuara në rrugën “Aco Shopov” i rriti nga 5 Kate + papafingo deri në 20 kate + papafingo, por edhe për faktin se aty, në një sipërfaqe prej 157 mijë metrash katrorë, është planifikuar G2 – industri e lehtë dhe jo ndotëse.