Maqedoni

Partitë politike finalizojnë koalicionet

BDI: Fronti evropian është fitues i zgjedhjeve

Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, partitë politike po zyrtarizojnë koalicionet, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po përgatitet për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

Pas deklaratës së Liderit të VMRO DPMNE-SË Hristijan Mickovski se koalicioni “PO Europës, JO Rusisë” nuk do të jetë i sukseshëm reaguan nga BDI. Sipas integristëve, për fituesin te pala shqiptare vendos vetëm votuesi shqipëtar dhe asesi Mickoski, Pavle Trajanovi apo Kremlini.

“Fronti Evropian” do të jetë fituesi absolut i zgjedhjeve me +20 deputetë” dhe Qeveria e ardhshme pa asnjë mëdyshje do të vazhdojë rrugën evropiane të vendit”, thonë nga BDI.

VMRO do t’i konfirmojë listat për deputet

Në bllokun politik maqedonas, VMRO-DPMNE do t’i konfirmojë listat e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në orët e mbrëmjes në seancat e Komitetit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë. Bartësit e listave tashmë janë të njohur për opinionin.

“Në njësinë e parë zgjedhore bartës i listës do të jetë Hristijan Mickoski, në të dytën Vllado Misajllovski, në të tretën Dragan Kovaçki, në të katërtin Aleksandar Nikollovski, në të pestën Gjorgija Sajkoski dhe në të gjashtën Dafina Stojanovska.VMRO-DPMNE pritet të mbajë konventën për promovimin e kandidatëve për deputetë të dielën, më 31 mars”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Propozimi i Pendarovskit për debat, shqyrtohet

Pas ftesës së Pendarovskit për debate kandidatët për president u shprehën të gatshëm por disa prej tyre parashtruan kushte që Stevço Jakimovski të mos ishte i pranishëm sepse ishte në listën e zezë të SHBA-së dhe Biljana Vankovska për qëndrimet e saj në lidhje me NATO-n dhe BE-në. Por Kabineti i Pendarovskit i refuzoi me arsyetimin se duhet respektuar trupi votues i qytetarëve.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor konfirmoi se janë shtatë kandidatë për president të shtetit dhe për ne nuk ka kandidatë të diskutueshëm. Ne respektojmë elektoratin e të gjithë kandidatëve dhe kur dikush pretendon të bëhet president i vendit, duhet të ketë parasysh faktin që është president i të gjithë qytetarëve. Ideja jonë është që të zhvillohet debati me të shtatë kandidatët dhe është mirë që kemi një përgjigje pozitive nga të gjitha selitë. Nuk mund të themi definitivisht se do të ketë debat sepse në periudhën e ardhshme selia do të duhet të merret vesh për aspektet teknike”, theksuan nga shtabi zgjedhor i Pendarovskit.

Raundi i parë i zgjedhjeve të shtata për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë i votimit do të mbahet dy javë më vonë, më 8 maj. Në të njëjtën datë me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vend do të mbahen zgjedhjet e 11-ta parlamentare./TVM2