Maqedoni

RMV, paga mesatare në Agjencinë për Komunikime Elektronike mbi 1000 euro

Rreth 1050 euro është paga mesatare mujore neto që rregullatori i operatorëve të telekomunikacionit në vend ndau vitin e kaluar për 140 punonjësit e tij. Këtë e tregon përllogaritja nga raporti financiar për vitin 2023, ku bëhet e ditur se për pagat neto të punëtorëve janë shpenzuar 107,2 milionë denarë, përkatësisht për 4,65 për qind më shumë në krahasim me një vit më parë, transmeton Portalb.mk.

Në llogarinë përfundimtare shkruhet se mesatarja e punësimit në muajin e fundit të vitit ka qenë 140. Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) thekson në raportin e punës se rritja e kostos së pagave vjen si pasojë e rritjes së numrit të të punësuarve, por nuk thotë se sa.

Ndryshe, janë shpenzuar gjithsej 163.122.060 denarë, të cilat janë realizuar për pagesën e pagave bruto dhe në vitin 2022 shpenzimet për këtë artikull kanë qenë 155,8 milionë.

AKE-u herë pas here publikon shpallje në të cilat ofrohet paga fillestare deri në 90.000 denarë, e ndonjëherë kërkohen edhe punëtorë pa përvojë fillestare. Vetëm pak më shumë se një vit më parë, numri i të punësuarve ishte 120.

Paraprakisht, mediat vitin e kaluar njoftuan se AKE-u konsiderohet një institucion që punëson bashkëshorte të ish-zyrtarëve dhe atyre aktualë. Aty ka punuar gruaja e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pastaj bashkëshortet e ish-sekretarëve të përgjithshëm të qeverisë – Kiril Bozhinovski dhe Martin Protugjer, etj. Aty si konsulente për incidente kompjuterike punon edhe nusja e kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi. Një vit më parë, aty u punësua edhe një mësuese nga shkolla e muzikës nga Manastiri si bashkëpunim si bashkëpunëtore e teknologjisë informative.

AKE ka shpenzuar gjithsej 580 milionë denarë në vitin 2023, që është 230 milionë më pak se një vit më parë. Të ardhurat, kryesisht nga operatorët e telekomunikacionit, arritën në 635 milionë euro. Kjo do të thotë se është bërë një fitim prej 55 milionësh.

Vlen të përmendet se për udhëtime pune janë shpenzuar 150 mijë euro mëditje, që është një rritje vjetore prej 80 përqind. Për K-15 dhe shpërblime tjera janë shpenzuar 145 mijë euro, që është një rritje vjetore prej 200 për qind.

28 milionë denarë është kostoja e punësimit të shërbimeve nga jashtë, që është 10 përqind më shumë për një vit. Për kompjuter dhe pajisje matëse janë paguar 103,7 milionë denarë ose 64,25 për qind më shumë.