Rajon - Botë

“Zbutet” Izraeli, dërgon strategët e luftës në SHBA për sulmin në Rafah!

Izraeli është tërhequr nga qëndrimi i tij, dhe ka vendosur të dërgojë në Washington strategët e vet të luftës për të diskutuar planet e nisjes së një sulmi tokësor ndaj militantëve të Hamasit në Rafah, në jug të Gazës.

Më herët, shteti hebre njoftoi anulimin e dërgimit të delegacionit në shenjë proteste pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të mos i vënë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në luftën Izrael-Hamas. Fakti që Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit në luftën gati gjashtëmujore, abstenuan nga votimi i kësaj jave në OKB, në një kohë kur i kishin bllokuar me veton e tyre rezoluta të ngjashme, ngjalli zemërimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e u interpretua menjëherë si dëshmi e mospajtimeve në rritje me Uashingtonin mbi luftën e shtetit hebraik.

Netanyahu insiston se një sulm në Rafah ku është zhvendosur një pjesë e mirë e popullatës së Gazës pas fillimit të konfliktit, si të domosdoshëm për t’i dhënë fund kontrollit të Hamasit mbi enklavën e ngushtë përgjatë Detit Mesdhe. Por Shtetet e Bashkuara janë kundër pushtimit të qytetit kufitar ku llogaritet të jenë strehuar më shumë se një milion civilë palestinezë.

Izraeli thotë se do t’i zhvendosë palestinezët në zona të sigurta përpara çdo sulmi ndaj katër batalioneve të Hamasit në Rafah, por nuk ka sqaruar se ku do t’i dërgojë ata. Sipas shtetuit hebre, votimi në Këshillin e Sigurimit “e inkurajoi Hamasin të mbajë një qëndrim të ashpër dhe të besojë se trysnia ndërkombëtare do ta pengojë Izraelin” të përmbushë synimet e luftës së tij, që janë shkatërrimi i grupit militant dhe lirimi i dhjetëra personave të marrë peng prej tij.