VLEN: Shqiptarët nuk do t’ia falin Bujar Osmanit për rastin “Monstra”
VLEN sot shpalosi disa qëndrime politike që kandidati për president i BDI-së, Bujar Osmani i ka pasur në të kaluarën. Sipas Fari Isenit nga VLEN, bëhet fjalë për veprime që nuk do të harrohen kurrë, përfshi edhe rastin “Monstra”.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe më parë kur kemi shpjeguar se kush është Bujar Osmani, ka ardhur koha të fillojmë t’i shpalosim skandalet e tij korruptive, por edhe qëndrimet politike që i ka pasur e shprehur ai në të kaluarën. Gabohet shumë nëse ai mendon se ato janë harruar dhe se tashmë askush nuk do t’ia kujtojë se çfarë ka bërë e çfarë ka thënë. Madje, disa nga veprimet e tij nuk do të harrohen kurrë. Sot po e rikthejmë kujtesën duke i kujtuar qëndrimet e tij të pafalshme për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, një rast ky që shkaktoi, fatkeqësisht, plagë të pashërueshme edhe sot e kësaj dite. Atëbotë, po ky Bujar Osmani – në rol të zëdhënësit të BDI-së, doli para kamerave dhe pa fije turpi, pa u skuqur fare e pa pikë ndërgjegje e mashtroi opinionin e tërë. Kështu, në pyetjen se “Ku është njëri nga të akuzuarit e rastit, Haki Haziri, ai tha: ‘Informacionet tona thonë se ai nuk është në asnjë institucion shtetëror. Ai kontakton me familjen e tij dhe me vullnetin e tij bëhet i zhdukur’”, deklaroi Fari Hiseni, VLEN, sipas të cilit bëhet fjalë për një deklaratë skandaloze të Bujar Osmanit.